Myftiu Tërnava uron besimtarët muslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit

“Ramazani është i veçantë edhe për një arsye tjetër, ngase në këtë muaj, Pejgamberit Muhamed a.s., ka filluar t’i zbresë Kurani fisnik, e përmes tij edhe besimtarëve dhe botës mbarë”, tha myftiu i Kosovës, Tërnava

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët muslimanë në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, raporton Anadolu.

Në një fjalë para mediave drejtuar besimtarëve muslimanë në Kosovë dhe diasporë, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Tërnava uroi që Ramazanin besimtarët ta presin dhe ta përjetojnë në formën më të mirë.

Myftiu Tërnava tha se agjërimi është ibadet i veçantë, që realizohet në muajin e caktuar, me vakte, mision e synim të caktuar.

“Muaji Ramazan është një ibadet që bëhet për dhe në emër të Zotit dhe për besimtarët shënon edhe muajin e shtimit të ibadeteve, faljes së namazeve shtesë, bërjes më shumë lutje e dua, ndjesisë ndaj fëmijëve, skamnorëve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit, shtëpitë tona, rrugët e xhamitë tona gjallërohen e mbushen plot gëzim, rahmete begati, sepse vetë agjërimi e bënë besimtarin më të qetë, e fisnikëron dhe e bën më dorëlirë e më solidarë”, theksoi Tërnava.

Ai tha se Ramazani është i veçantë edhe për një arsye tjetër, ngase në këtë muaj, Pejgamberit Muhamed a.s., ka filluar t’i zbresë Kurani fisnik, e përmes tij edhe besimtarëve dhe botës mbarë.

“Muaji Ramazan njihet më të drejtë edhe si muaj i Kuranit fisnik dhe duke medituar në mesazhet dhe porositë e tij, ne përfitojmë mirësi e sevape në këtë dhe botën tjetër”, tha Tërnava.

Ai tha se populli shqiptar ka traditë shekullore të bashkëjetesës me mirësitë e Ramazanit të cilat shprehen me agjërim, falje, lutje, repsketim e vizita të ndërsjella me njëri-tjetrin, solidaritet, humanitet e bashkëndjesi.

Tërnava tha se agjërimi i muajit Ramazan besimtarin e afron me Krijuesin, e largon nga egoja, urrejtja e smira, e motivon për punë e vepra të mira dhe mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit janë më se të nevojshme “për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi