Myslimanët në Evropë po përjetojnë një rritje shqetësuese të racizmit dhe kanë probleme edhe në blerjen e banesave

 Myslimanët në të gjithë Evropën po përballen me një “valë shqetësuese” të racizmit që është pjesërisht e nxitur nga “retorika çnjerëzuese antimuslimane”.

Ky është përfundimi i një agjencie kryesore për të drejtat e BE-së, pas publikimit të një studimi ku pothuajse gjysma e të anketuarve myslimanë deklaruan se kohët e fundit kishin përjetuar diskriminim.

Studimi, i publikuar të enjten nga Agjencia për të Drejtat Themelore të BE-së (FRA) mbi 9,600 myslimanë në 13 shtete anëtare, tregoi se racizmi dhe diskriminimi janë të përhapura në shumicën e aspekteve të jetës së tyre.

Njerëzit kanë raportuar ngacmime të fëmijëve në shkollë, pabarazi në qasjen në mundësi punësimi dhe paragjykime lidhur me qiranë ose blerjen e banesave, raporton Guardian.

Edhe pse studimi është kryer përpara sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, që çoi në një hakmarrje të ashpër ndaj Gazës, agjencia me seli në Vjenë tha se informacionet nga organizatat e shoqërisë civile dhe autoritetet kombëtare sugjerojnë se numri i incidenteve antimuslimane ka vazhduar të rritet që nga shpërthimi i konfliktit.

“Jemi dëshmitarë të një rritjeje shqetësuese të racizmit dhe diskriminimit kundër myslimanëve në Evropë,” tha drejtori i agjencisë Sirpa Rautio dhe shtoi:”Kjo është e nxitur nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe e përkeqësuar nga retorika çnjerëzuese antimuslimane që shohim në mbarë kontinentin.”

FRA, duke intervistuar myslimanë në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Greqi, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Spanjë dhe Suedi, zbuloi se 47 për qind e tyre kishin deklaruar se kishin përjetuar racizëm gjatë pesë viteve para 2022, që është më shumë se 39 për qind në vitin 2016.

“Ajo që po shohim është se situata e myslimanëve po përkeqësohet,” tha Vida Beresnevičiūtė, bashkautore e studimit.

Në 13 vendet anëtare të anketuara, 39 për qind e myslimanëve raportuan diskriminim në tregun e punës. Duket se pak prej tyre e konsiderojnë të dobishme raportimin e përvojave të tyre, me vetëm gjashtë për qind që thanë se kishin bërë një ankesë ose raport për një incident të fundit.

FRA u bëri thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë sanksione më të ashpra për diskriminimin dhe krimet e urrejtjes, si dhe për mbledhjen e të dhënave për barazinë, duke përfshirë të dhëna për origjinën etnike ose racore, për t’u mundësuar politikëbërësve të vendosin objektiva më të mirë dhe të monitorojnë përparimin. Ndryshe nga MB, shumica e vendeve të BE-së nuk mbledhin të dhëna për diversitetin racor ose etnik në regjistrimet e tyre.

Kategoritë
BotaLajme