Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas dorëzimit të kallëzimit penal ndaj saj.
Kallëzimi u dorëzua në Prokurorinë Speciale nga anëtarët e Komisionit Hetimor për Tekstet Shkollore, me arsyetimin se subvencionimi i teksteve shkollore nga MASHTI ka shkelje ligjore.
Nagavci ka thënë se kallëzimi penal do të hidhet poshtë, pasi komisioni nuk e ka përfunduar punën dhe nuk është miratuar raporti i tij.
“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur. Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua”, ka shkruar ajo në Facebook./21Media