NASA do ta provojë sërish të shtunën të nisë raketën drejt Hënës

NASA do të përpiqet përsëri të shtunën të nisë raketën e saj të re drejt Hënës në një fluturim provë, pasi problemet me motorin ndalën nisjen më herët këtë javë.

Pas shqyrtimit të të dhënave, inxhinierët besojnë se tani e kuptojnë pse ndodhi problemi.
Ata mendojnë se ka të ngjarë të lidhet me një lexim të pasaktë të sensorit dhe se mund të zhvillojnë një strategji për t’u marrë me problemin në ditën e nisjes.

Kjo përfshin fillimin e procesit të ftohjes së motorëve më herët gjatë numërimit mbrapsht.

“Ne kemi një rrugë përpara për të arritur atje ku duhet të arrijmë, për të mbështetur nisjen e radhës,” tha John Honeycutt, i cili menaxhon projektin e raketave Space Launch System (SLS) në NASA.

Raketa 98 metra e gjatë – më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA – mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

Raketa “Space Launch System” do të përpiqet ta dërgojë kapsulën përreth Hënës dhe ta rikthejë në Tokë. Askush nuk do të jetë në bord, përveç tre manekinëve të provës. Nëse del me sukses, kjo do të jetë kapsula e parë që do të fluturojë në Hënë që nga koha e programit të NASA-s, “Apollo”, 50 vjet më parë.

Kategoritë
BotaLajme