Natë e “zezë” evropiane, 3 ekipe shqiptare eliminohen nga Conference League

Nata e sotme nuk pati as edhe një “fije” lumturie dhe gëzimi për ekipet shqiptare dhe tifozeritë tyre në Evropë.

Tirana, Vllaznia dhe Laçi luajtën sonte ndeshjet e kthimit në kuadër  të Conference League, mirëpo asnjë prej tyre nuk arrit të kalonte me tej.

Skuadrat erdhën pas rezultateve jo fort negative në ndeshjet e para. Laçi kishte marrë një barazim në transfertë ndaj Petrocub, Vllaznia po ashtu vinte nga një barazim në “Loro Boriçi” përballë skuadrës romune të Craiovas, ndërsa Tirana vinte nga një humbje minimale ndaj Zrinjski në kryeqytet.

“Bardheblutë” nuk ia dolën të bënin një mrekulli duke u “deklasuar” që në pjesën e parë pasi pësuan 2 gola. Në të dytën ndryshoi diçka, por jo aq sa për të arritur kualifikimin duke humbur sërish me rezultatin 3-2.

Vllaznia nuk dha asnjë “shenjë” ndaj Craiovas duke u mposhtur me rezultatin e thellë 3-0.

Laçi ishte skuadra që të gjithë shqiptarët kishin sytë mbrëmjen e sotme. Kurbinasit ndezën shpresat në 45 minuta e para në “Elbasan Arena” duke shkuar në pushim me avantazhin minimal falë një goli të kapiten Mazrekaj.

Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Duro u shpërbë në mënyrë të pabesueshme duke pësuar plot 4 gola dhe ndeshja përfundoi 1-4.

Kategoritë
Sport