NATO-ja dhe Perëndimi premtojnë armë e municione shtesë për Ukrainën

Teksa ka kaluar një muaj nga fillimi i luftës ruso-ukrainase, NATO-ja dhe perëndimorët bënë me dije se përveç sanksioneve të rënda kundër Rusisë, do të vazhdojnë gjithashtu ndihmat me armë e municione që do të kontribuojnë në mbrojtjen e Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca njoftuan pas Samitit të Jashtëzakonshëm të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s se do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën me armë e municione shtesë.

Teksa ka kaluar një muaj nga fillimi i luftës ruso-ukrainase, NATO-ja dhe vendet perëndimore bënë me dije pas samitit të djeshëm se përveç sanksioneve të rënda kundër Rusisë, do të vazhdojnë gjithashtu ndihmat me armë dhe municione që do të kontribuojnë në mbrojtjen e Ukrainës.

Duke folur në një konferencë shtypi të enjten pas takimit të jashtëzakonshëm, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tërhoqi vëmendjen mbi faktin se Aleanca po përballet me një realitet të ri të sigurisë.

“U vendos që të përqendrohen 4 grupe luftarake të reja të NATO-s në Bullgari, Hungari, Rumani e Sllovaki duke e rritur kështu në 8 numrin e grupeve luftarake shumëkombëshe të Aleancës nga Baltiku në Detin e Zi”, theksoi ai.

Jens Stoltenberg informoi se SHBA-ja ka 100 mijë trupa me mision mbështetjen e NATO-s dhe aleatët evropianë kanë 40 mijë ushtarë, kryesisht në krahun lindor të Aleancës.

Pasi vuri në pah se NATO-ja do të forcojë praninë e saj në tokë, veçanërisht në krahun lindor të Aleancës, Stoltenberg tha se do të dislokojnë më shumë avionë në ajër, do të forcojnë raketat e integruara të mbrojtjes dhe do të kenë anije luftarake mbi baza të përhershme në det, përveç nëndetëseve.

Aleatët – vijoi ai – po ashtu e kanë pajisur Ukrainën me materiale ushtarake të rëndësishme që përfshijnë sisteme antitank e të mbrojtjes ajrore “me efekt mjaft të provuar”, si dhe mjete ajrore pa pilotë.

Shefi i NATO-s njoftoi edhe se ata që do të japin ndihmë financiare dhe humanitare të konsiderueshme, kanë vendosur gjithashtu t’i ofrojnë Ukrainës siguri kibernetike dhe ndihmë me pajisje për t’u mbrojtur nga kërcënimet biologjike, kimike, radiologjike e bërthamore.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, deklaroi nga ana e tij se do të punojë me aleatët konvergjentë për të rritur ndihmën me armë vdekjeprurëse për Ukrainën.

“Unë njoftova sot se Britania e Madhe do të dërgojë 6 mijë raketa të tjera (në Ukrainë) dhe ne do të ofrojmë një fond prej 25 milionë sterlinash për Forcat e Armatosura të Ukrainës, më shumë se dyfishi i ndihmës (me armë) vdekjeprurëse që kemi dhënë deri më tani”, u shpreh ai.

“Krahas rritjes së numrit të trupave britanike si në Poloni ashtu edhe në Estoni, ne do të përqendrojmë gjithashtu trupa të reja në Bullgari”, shtoi Johnson.

Pas takimit të djeshëm të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, edhe Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se vendi i tij do të përgjigjet, veçanërisht në rast të përdorimit të armëve kimike, ndërsa rikujtoi se i kanë premtuar Ukrainës 2 miliardë dollarë pajisje ushtarake që kur ai mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Joe Biden tha po ashtu se do të sigurojnë 1 miliard dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën dhe se 100 mijë ukrainas do të pranohen në Shtetet e Bashkuara.

“Armët tona po rrjedhin në Ukrainë pikërisht tani që po flas”, saktësoi lideri amerikan.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri me dije se municione dhe armë antitank ajër-tokë i janë dorëzuar administratës së Kievit që nga fillimi i luftës.

Duke u shprehur se si pjesë e NATO-s, forca në Estoni do të përforcohet me elementë të ushtrisë franceze gjatë ditëve në vijim, Macron tha: “Ne do ta vazhdojmë këtë përpjekje me të njëjtën qëndrueshmëri dhe kufij. Po ashtu do të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.”

Ndërkaq, Berlini zyrtar nuk bëri asnjë deklaratë pas samitit për pajisjet dhe municionet ushtarake nga Gjermania, por njoftoi se do të rriste ndihmën humanitare për Ukrainën dhe vendet fqinje në 370 milionë euro.

Kurse udhëheqësit e Bashkimit Evropian bënë thirrje për krijimin e një fondi solidariteti për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës pas pushtimit rus, gjatë bisedimeve të djeshme.

“Fondi do të mbështesë Ukrainën pas shkatërrimeve dhe humbjeve të mëdha që i janë shkaktuar vendit nga Rusia”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 27 shteteve anëtare të BE-së.

Deklarata bën thirrje për organizimin e një konference ndërkombëtare të donatorëve për të mbështetur Ukrainën pasi sulmi rus të ketë ndaluar.

Liderët e BE-së u angazhuan gjithashtu për t’i ofruar qeverisë ukrainase mbështetje për nevojat e saj imediate.

Kategoritë
BotaLajme