NATO kërkon zgjidhje për të luftuar bombat ruse të drejtuara

Komanda Aleate për Transformim e NATO-s ka nisur së fundmi Sfida e saj të parë të Inovacionit për vitin 2025, duke kërkuar zgjidhje për zbulimin, ndalimin ose neutralizimin e bombave të drejtuara ruse.

Gjatë luftës ruso-ukrainase, është zhvilluar një sërë zgjidhjesh teknologjike, përfshirë krijimin nga Rusia të teknologjisë UMPK, e cila lejon që bombat ajrore FAB të kontrollohen dhe të drejtohen në distanca mbi 20 kilometra.

Për shkak të sasisë së madhe të bombave FAB të prodhuara që nga epoka e Bashkimit Sovjetik, shtimi i teknologjisë UMPK i ka bërë bombat ajrore prej 150, 250 dhe 500 kilogramë shumë të sakta, duke shkaktuar humbje të rënda për forcat ukrainase.

Në këtë kontekst, Komanda Aleate për Transformim ka aktivizuar një iniciativë për të mbledhur ide dhe projekte që mund të ndihmojnë në krijimin e një modeli mbrojtjeje kundër këtyre bombave të drejtuara. Qëllimi i iniciativës është gjetja e zgjidhjeve për zbulimin, ndalimin dhe shkatërrimin e bombave të drejtuara.

Të gjithë inovatorët nga industria dhe bota akademike mund të marrin pjesë. Megjithatë, vetëm propozimet nga subjekte që janë të vendosura ose operojnë në vendet anëtare të NATO-s do të shqyrtohen për fazën paraprake të përzgjedhjes. Përfaqësuesit e ekipeve duhet të kenë shtetësi të një vendi anëtar të NATO-s.

Nga ana tjetër, ushtria ukrainase ka shënuar disa suksese në luftën kundër bombave të drejtuara. Të premten, media ukrainase Espreso citoi Yurii Ihnat, zëdhënësin e komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës (UAF), i cili tha se forcat ukrainase në rajonin e Zaporizhias kishin rrëzuar një bombë ruse të drejtuar KAB gjatë fluturimit një ditë më parë.

Kategoritë
BotaLajme