Ndalohet tubimi për Palestinën në Prizren – Komuna nuk jep leje!

Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prizrenit ka refuzuar dhënien e lejes për mbajtjen e një tubimi paqësor në mbështetje të Palestinës, i planifikuar të mbahej më 20 prill 2025 në Sheshin “Shatërvan”.

Tubimi me moton “Marshi për Palestinën” ishte paraparë të fillonte në ora 14:00 dhe të zhvillohej nëpër rrugët kryesore të qytetit, por kërkesa e dorëzuar nga organizatori Albion Kryezi është refuzuar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj.

Në dokumentin zyrtar, si arsye kryesore për moslejimin e tubimit përmenden: Dendësia e lartë e vizitorëve në zonën e Shatërvanit, veçanërisht gjatë fundjavave,Fakti që kjo zonë është pjesë e mbrojtur historike, çka sipas komunës e bën të pamundur menaxhimin efikas të sigurisë, Paralajmërimi për pjesëmarrje të madhe – mbi 10.000 qytetarë – si dhe përdorimi i automjeteve me sistem zëri, që vlerësohet si rrezik për sigurinë publike dhe komunitetin përreth.

I kontaktuar nga Gazeta e Re, drejtori Çelë Lamaj tha shkurt: “Të gjitha arsyetimet janë të përfshira në dokumentin zyrtar.”

Ky vendim ka ngjallur reagime kritike, pasi vjen në një kohë kur në shumë qytete të botës  qytetarët po protestojnë në mënyrë paqësore për ndalimin e dhunës në Gaza dhe për të shprehur solidaritet me civilët palestinezë.

Në kontrast me këtë lëvizje globale, Prizreni bëhet një nga rastet e rralla ku një marsh i tillë ndalohet nga autoritetet lokale.

Organizatorët kanë paralajmëruar se do të shqyrtojnë mundësi të tjera ligjore dhe alternativa për realizimin e aktivitetit në një vend tjetër të qytetit, duke mos hequr dorë nga e drejta për të ngritur zërin./Gazeta e Re

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi