“Nder dhe Liri”, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi dërgojnë telegram ngushëllimi për vdekjen e babait të Hashim Thaçit

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, i kanë dërguar telegram ngushëllimi familjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili vdiq të dielën.

“E nderuara familja Thaçi,
Me dhimbje morëm lajmin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit dhe prindit tuaj të dashur, si dhe bashkëudhëtarit tonë në rrugën e lirisë, i cili nuk kurseu asgjë për jetën dhe lirinë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, të bërë publik nga Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.

“Haxhi Thaçi, më shumë sesa vetëm prind i një prej themeluesve të UÇK-së dhe Shtetit të Kosovës, ishte edhe vetë bashkëpjesëmarrës i drejtpërdrejtë në të gjitha proceset e lëvizjes sonë kombëtare të shekullit të kaluar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Veseli, Selimi e Krasniqi shkruajnë se ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit është edhe “kujtim dhe mesazh se njerëzit jetojnë dhe nuk shuhen nga kjo botë nëse i kanë shërbyer më shumë sesa vetvetes”.

“Ndarja e tij nga kjo jetë është jo vetëm dhimbje, por edhe kujtim dhe mesazh se njerëzit jetojnë dhe nuk shuhen nga kjo botë nëse i kanë shërbyer më shumë sesa vetvetes – nëse i kanë shërbyer së mirës, vendit, nderit dhe kombit të tyre. Familjarëve të nderuar, të gjithë miqve dhe dashamirësve të Bacës Haxhi dhe familjes Thaçi, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta njerëzore, si dhe krenarinë për të.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! Kadri Veseli, Rexhep Selimi & Jakup Krasniqi. Nder dhe Liri. Në Holandë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Kategoritë
LajmeVendi