Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup kërkon nga Qeveria të shlyejë borxhet

Qeveria thotë se pushteti qendror nuk i ka borxh ndërmarrjes, ndërsa të punësuarit e ndërmarrjes shprehën pakënaqësinë e tyre për vonesën e pagave, duke u kërcënuar se do të ndërpresin transportin publik.

Buritë e autobusëve në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut sot në mesditë ranë në mënyrë simbolike para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, si paralajmërim dhe kërkesë për shlyerjen e borxheve ndaj Ndërmarrjes së Transportit Publik, raporton Anadolu Agency (AA).

Disa autobusë të ndërmarrjes bllokuan rrugën para qeverisë, ndërsa përfaqësues të ndërmarrjes publike dhe Qytetit të Shkupit, nën juridiksionin e të cilit është ndërmarrja, theksuan se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka borxh të hapur ndaj ndërmarrjes në vlerë prej 120 milionë denarë (rreth 2 milionë euro) për transport të subvencionuar për studentë dhe nxënës.

Zoran Gligorov, sekretar i Qytetit të Shkupit, po ashtu tha se komunat kanë borxh prej rreth 40 milionë denarë (rreth 650 mijë euro), që e vështirëson punën e ndërmarrjes, duke përfshirë edhe vonesën e pagave të punëtorëve.

“Dua t’ju them me këtë rast se shkupjanët meritojnë transport publik dhe se shkupjanët do ta marrin transportin publik dhe i njëjti është duke u realizuar për momentin dhe do të realizohet në të ardhmen, pavarësisht problemeve me të cilat po përballemi dhe pa marrë parasysh presionin që po bëhet edhe nga Ministria e Arsimit, e cila nuk i paguan obligimet, edhe nga komunat që i detyrohen ndërmarrjes publike”, tha Gligorov.

Ai po ashtu theksoi se punëtorët e ndërmarrjes i meritojnë pagat dhe do t’i marrin “sipas obligimeve ligjore”.

Edhe ushtruesi i detyrës drejtor i Ndërmarrjes së Transportit Publik, Aleksandar Stojkovski, pohoi se punëtorët do të marrin paga, por paralajmëroi radikalizim dhe bllokada më të shpeshta nëse nuk shlyhen borxhet ndaj kompanisë.

Dje, qeveria përmes një komunikate ka mohuar akuzat se ka borxh ndaj ndërmarrjes. Sipas njoftimit të qeverisë, në semestrin dimëror të vitit akademik 2021-2022, studentët nuk kanë vijuar mësimet me prezencë fizike. Prandaj, nuk është marrë asnjë vendim për kartat e zbritjes së studentëve.

Ndërkaq, pakënaqësinë e tyre për vonesën e pagave e kanë shprehur edhe punëtorët e Ndërmarrjes së Transportit Publik përmes sindikatës, të cilët kanë kërcënuar se do të ndalojnë transportin publik.

Gligorov ka komentuar edhe paralajmërimin e sotëm të dërguar në adresën elektronike zyrtare të kompanisë se në njërin nga autobusët do të vendoset bombë.

Për këtë shkak, ndërmarrja i ka tërhequr të gjithë autobusët nga qarkullimi, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se është ndaluar një person i punësuar në Ndërmarrjen e Transportit Publik. Ministria thekson se po kryhen “kontrolle anti-terror” dhe po merren masa për zbardhjen e rastit.

Gligorov tha se ky rast paraqet “sulm ndaj integritetit të Ndërmarrjes së Transportit Publik” dhe tentim për të vënë në pikëpyetje mbajtjen e protestës së sotme.

Në anën tjetër, qeveria i hodhi poshtë këto pretendime të Qytetit të Shkupit dhe Ndërmarrjes së Transportit Publik. Sipas saj, pushteti qendror nuk ka borxh ndaj ndërmarrjes. Qeveria thekson se gjendja në të cilën ndodhet ndërmarrja tregon mënyrën e papërgjegjshme të saj në menaxhimin e mjeteve të destinuara për transportin e studentëve dhe pagesën jo në kohë të detyrimeve të ndërmarrjes.

Kategoritë
LajmeRajoni