“Ndërmarrja Publike Banesore” mbyll 11 lokale në Prishtinë- Aksionet vazhdojnë për 40 prona në vlerë 1 milion euro

Ndërmarrja Publike Banesore tash e dy ditë po realizon aksione në gjashtë lokale në kryeqytet, të cilët i kanë ato prona me qira dhe nuk kanë kryer obligimet e tyre financiare.

NPB në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se pavarësisht se kompania ka mirëkuptuar për një kohë të gjatë mos kryerjen e pagesës nga ana e tyre, ata të njëjtat prona në disa raste i kanë kaluar lokalet në shfrytëzim tek personat e tjerë (nën qira), përkundër që e njëjta situate është e sanksionuar me kontratë.

Sipas NPB-së, përveç vërejtjeve me shkrim, që janë dërguar më herët, si dhe njoftimeve përfundimtare që në rast të mos përmbushjeve të obligimeve financiare, do të bëhet lirimi i të njëjtave, si dhe procedimi pranë organeve përkatëse.

“NPB në këto dy ditë ka zhvilluar aksione ku janë mbyllur gjithsej 11 lokale. Një aksion i tillë do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, në të cilin bëhet fjalë për rreth 40 prona të NPB-së të cilat arrijnë vlerën 1 milion euro. Këto aksione kanë të bëjnë vetëm me lokalet të cilat janë prone e Ndërmarrjes Publike Banesore, të cilat ishin në shfrytëzimin e qiramarrësve që kishin obligime financiare ndaj NPB-së, edhe pse kemi përdorur të gjitha afatet ligjore të mundshme, të njëjtit nuk kanë respektuar afatet ligjore dhe obligimet e tyre financiare ndaj NPB-së, dhe si pasoj e kësaj jemi detyruar ti rikthejmë pronat nën menaxhimin e NPB-së”, ka thënë NPB për lajmi.net.

NPB dje përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka filluar aksionin për lirimin e lokaleve si pasojë e borgjeve të akumuluara ndër-vite nga shfrytëzuesit e këtyre lokaleve të cilat janë pronë e NPB-së.

“Ky aksion do të vazhdojë edhe ditëve në vijim pasi NPB u ka ofruar shfrytëzuesve brenda afateve ligjore të kryejnë detyrimet e tyre financiare ndaj Ndërmarrjes dhe një gjë e tillë nuk është respektuar. Falenderim i veçantë për pjestarët e Policisë së Kosovës të cilët me sukses asistuan këtë operacion. NPB është e zotuar ta respektojë ligjin dhe asetet t’i rikthehen ndërmarrjes”, ka njoftuar dje NPB. /Lajmi.net/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi