Estonia, Letonia dhe Lituania do të shkëputen përfundimisht nga rrjeti energjetik i Rusisë këtë të shtunë, njoftoi kryeministrja estoneze Kaja Kallas në platformën X, duke theksuar se Rusia nuk do të mund të përdorë më energjinë si një “mjet shantazhi”.
Ky vendim historik vjen pothuajse tre dekada e gjysmë pas largimit të shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik. Edhe pse kishin ndalur blerjen e gazit natyror nga Rusia, rrjetet e tyre energjetike kanë qenë të lidhura deri tani me ato të Rusisë dhe Bjellorusisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të marrë pjesë të dielën në Vilnius në një ceremoni për këtë hap të rëndësishëm, së bashku me liderët e vendeve baltike.
Shkëputja zyrtare nga rrjeti rus dhe sinkronizimi me sistemin energjetik të Evropës kontinentale është planifikuar për 8 shkurt. Shtetet baltike kanë qenë të integruara në sistemin energjetik rus që nga periudha sovjetike, por vendimin për t’u larguar plotësisht dhe për t’u lidhur me rrjetin evropian e kishin marrë që në vitin 2018. Megjithatë, realizimi i këtij plani u përshpejtua pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe përdorimit të energjisë si një mjet presioni politik.
Ky hap konsiderohet vendimtar për sigurinë energjetike të BE-së, duke pasur parasysh se Rusia mbetet një kërcënim dhe është e prirur për shantazhe energjetike. Kujtojmë se Ukraina dhe Moldavia e përfunduan këtë proces që në mars të vitit 2022 dhe lidhja me rrjetin evropian i ka ndihmuar ato në përballimin e sulmeve ruse mbi infrastrukturën energjetike.
Pritet që kjo shkëputje ta vendosë enklavën ruse të Kaliningradit në të ashtuquajturin “regjim ishulli”, ku rrjeti i tij energjetik do të mbetet pa lidhje të jashtme. Sidoqoftë, ekspertët thonë se Kaliningradi ka burimet e nevojshme për të funksionuar në mënyrë të pavarur.
Rusia ka tentuar tashmë të pengojë tranzicionin e vendeve baltike përmes taktikave të ndryshme, duke përfshirë sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi. Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, Lituania dhe Polonia kanë rritur mbrojtjen e kabllit ndërkufitar të energjisë LitPol Link dhe kanë forcuar masat e sigurisë kibernetike pas dëmtimeve të fundit të disa kabllove nëndetëse.