Ndërron jetë shkrimtari Ismail Kadare

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

Kadare ndërroi jetë sot në orët e mëngjesit në Tiranë, ndërkohë ndarja nga jeta është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar të cilët kanë përcjellë mesazhet e tyre të ngushëllimit dhe të vlerësimit.

Pas shfaqjes së problemeve shëndetësore në banesën e tij, Kadare është dërguar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa institucionet shëndetësore ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht shkaqet e ndarjes nga jeta të shkrimtarit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në një reagim në rrjetet sociale e ka konsideruar shkrimtarin Kadare si kolosin e mendimit dhe të penës.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”, ka shkruar Begaj.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ka theksuar se me veprën që krijoi, Ismail Kadare, “shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe”.

“Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, ka shkruar Nikolla në mesazhin e saj, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale e ka konsideruar Kadarenë si monumentin e madh e të kulturës shqiptare, “i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë”.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në qytetin e Gjirokastrës, ndërkohë është autor i dhjetëra veprave, kryesisht romane, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja. Kadare është vlerësuar me çmime dhe dekorata të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kategoritë
KulturëLajmeLajmet KryesoreRajoni