Ndeshja e ardhshme e Real Madridit është shtyrë për shkak të përmbytjeve, Madrilenët reagojnë me një donacion bujar

Viktimat nga përmbytjet e tmerrshme në Valencia ende po numërohen, dhe sot është bërë zyrtare se për shkak të kësaj është shtyrë ndeshja ndërmjet Real Madridit dhe Valencias në kampionatin spanjoll të futbollit.

Të paktën 155 persona kanë humbur jetën në këtë fatkeqësi natyrore, Valencia është zhytur në zi, dhe për këtë arsye, “Lakuriqët” nga Mestalla nuk do të udhëtojnë në ndeshjen kundër Realit këtë fundjavë.

Kjo është konfirmuar zyrtarisht nga klubet, dhe Real Madrid ka treguar përsëri bujarinë e tij duke ndihmuar zonën e prekur me një donacion prej një milion eurosh.

“Real Madrid dhe Kryqi i Kuq kanë nisur sot një fushatë për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar ata që janë prekur nga stuhia. Real Madrid do të fillojë aksionin me një donacion prej një milion eurosh, që do të shkojë për të ndihmuar shumë familje që aktualisht ndodhen në një situatë kritike dhe që kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë,” thuhet nga Santiago Bernabeu.

Real dhe Valencia do të përballeshin të shtunën në orën 21:00 në stadiumin e Madridit, por tani ekipi mbretëror do të ketë një fundjavë të lirë.

Kujtojmë, shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë me breshër të martën shkaktuan përmbytje në disa rajone, duke përfshirë provincën më të goditur në lindje, Valencian, duke shndërruar rrugët në lumenj që hynin në katet e para të shtëpive dhe merrnin automjete e njerëz.

Mijëra njerëz në Valencia kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike, dhe qindra të tjerë kanë mbetur të ngecur pasi automjetet e tyre janë shkatërruar ose rrugët janë bllokuar. Rajoni ka mbetur pjesërisht i izoluar, me disa rrugë të ndërprera dhe linja hekurudhore të ndërprera, duke përfshirë shërbimin e shpejtë për në Madrid, të cilin zyrtarët thonë se nuk do të riparohet për disa ditë.

Kategoritë
Sport