Ndikimi i votuesve të pavendosur në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Në këtë muaj të fundit të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen të fitojnë mbështetjen e një numri relativisht të vogël votuesish, që thonë se ende nuk kanë vendosur se cilin kandidat do të mbështesin në zgjedhjet e 5 nëntorit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, ky grup votuesish është i rëndësishëm në shtetet ku gara është e ngushtë.

Një pjesë e amerikanëve tashmë po votojnë në zgjedhjet presidenciale, duke shfrytëzuar mundësinë e votimit të hershëm në shumë shtete.

Por një pjesë e votuesve ende nuk kanë vendosur se për cilin kandidat do të votojnë.

“Dua t’i njoh më mirë , sepse nuk kam qenë realisht e angazhuar në këtë proces. Kandidatët kanë prejardhje interesante dhe të ndryshme. Dua të mësoj më shumë për të dyja partitë dhe se si ato i përfaqësojnë kandidatët e tyre”, thotë MaryBeth Giovacchini, votuese nga Nju Jorku.

Sipas anketave, votuesit e pavendosur përbëjnë rreth 3 për qind të elektoratit në Shtetet e Bashkuara.

“Shumë votues ende nuk kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme zgjedhjeve. Mendoj se po t’i pyesësh, kjo është përgjigja që ata mund të japin. Ndërsa disa njerëz në pjesën qendrore të vendit mund të jenë të rezervuar dhe nuk pranojnë të zbulojnë se për kë do të votojnë. Pra, kemi edhe këtë grup votuesish”, thotë John Johnson, studiues në Fakultetin Juridik të Universitetit Marquette.

Fushatat e kandidatëve Harris dhe Trump po fitojnë mbështetjen e disa prej këtyre votuesve të pavendosur, thotë studiuesi nga Universiteti i Masçusetsit, Tatishe Nteta

“Popullsia e votuesve të pavendosur po zvogëlohet. Ajo po tkurret çdo ditë. Shumica e njerëzve do të vendosë përpara ditës së zgjedhjeve, dhe ajo që do të jetë realisht e rëndësishme do të jetë mobilizimi në terren i Partisë Demokrate dhe Partisë Republikane, në këto zgjedhje që pritet të jenë jashtëzakonisht të ngushta”, thotë ai.

Kandidatët Trump dhe Harris ndeshen me sfida të ndryshme në përpjekjet për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur, thotë studiuesi Darrell West nga Instituti Brookings.

“Ai duhet të sigurojë amerikanët se ai respekton ligjin dhe se ai nuk do të jetë kaotik nëse bëhet president. Ajo, nga ana tjetër, ka më pak përvojë dhe tre vite më parë ka shprehur qëndrime shumë më liberale se politikat që po përkrah tani. Kështu që Kamala Harris duhet të sigurojë votuesit se presidenca e saj do të pasqyrojë politikat e saj të tanishme”, thotë ai.

Ish-Presidenti Trump është kandidat më i njohur dhe ka disa avantazhe dhe dobësi kur bëhet fjalë për votuesit e pavendosur, thotë studiuesi John Johnson.

“Kjo është hera e tretë që zoti Trump kandidon, kështu që shumica e njerëzve tashmë kanë opinione të forta për të. Kështu që nga ky grup i vogël votuesish të pavendosur, dy partitë po punojnë fort për të fituar mbështetjen e një pjesë të tyre, të një përqindje vetëm një shifrore të votuesve”, thotë ai.

Këto përpjekje po bëhen nga të dyja fushatat, sepse këta votues të pavendosur mund të jenë vendimtarë në përcaktimin e fituesit në garat e ngushta në shtetet e pavendosura më 5 nëntor.

Kategoritë
BotaLajme