Ndizet alarmi në gjithë Ukrainën, vijojnë bombardimet ruse

Alarmi për sulm ajror është deklaruar thuajse në të gjithë Ukrainën pasditen e së martës.

Lajmi vjen në një kohë kur forcat ruse vijojnë që të bombardojnë qytete dhe fshatra në Ukrainën lindore dhe atë jugore.

Jo më larg se dje, ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov është shprehur se Kievi duhet të pranojë kërkesat e tyre në mënyrë që t’i jepet fund luftimeve ose në të kundërt duhet të pranojë humbjen në fushëbetejë.

Mes kërkesave të Rusisë përfshihet edhe njohja nga ana e Ukrainës të pushtimit të një të pestës së territorit të saj nga Rusia.

Ndërkohë, në periferi të Bakhmut-it sot janë parë të ngrihen në qiell shtëllunga tymi. Luftimet e ashpra kanë vazhduar edhe sot në zonë ndërsa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e qytetit.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se forcat ruse po përpiqen të rrethojnë Bakhmutin në rajonin lindor të Donetskut, por sipas saj, tentativat deri më tani kanë dështuar./A2/

Kategoritë
BotaLajme