Ndryshime revolucionare në Kupën e Botës për Klube: Rregull i ri për portierët dhe kamera në trupin e gjyqtarëve

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar sot një sërë risish për Kupën e ardhshme të Botës për Klube, duke përfshirë kamera të trupit për gjyqtarët dhe një rregull të ri për portierët, me synim luftimin e humbjes së kohës gjatë ndeshjeve.

“Gjyqtarët do të mbajnë kamera në trup gjatë ndeshjeve si pjesë e një faze testimi eksperimental. Testimi është miratuar nga IFAB (International Football Association Board), organi përgjegjës për rregullat e lojës”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.

Presidenti i komitetit të arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, tha se kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’u ofruar tifozëve një perspektivë të re nga vetë sytë e gjyqtarëve, që nuk është parë kurrë më parë.

“Kjo nismë është inovative edhe për transmetuesit televizivë, por edhe për trajnimet e gjyqtarëve. Është e rëndësishme të kuptohet se si një gjyqtar e përjeton lojën në kohë reale dhe si merr vendimet.”

Rregull i ri për portierët: 8 sekonda!

Turneu do të zbatojë gjithashtu një rregull të ri për portierët, të miratuar më 1 mars nga IFAB, për të reduktuar vonesat në lojë.

Nëse një portier mban topin në duar më shumë se 8 sekonda, gjyqtari do të akordojë goditje nga këndi për ekipin kundërshtar.

Ky ndryshim ka për qëllim të shkurtojë taktikat e zvarritjes së lojës dhe ta bëjë ndeshjen më dinamike dhe më tërheqëse për publikun.

Ish-gjyqtari i njohur, Massimo Busacca, komentoi:

“Duhet të shohim lojë e gola, jo gjyqtarë. Një gjyqtar i mirë është ai që nuk bie në sy, por që është gjithmonë i përgatitur.”

Kjo fazë testimi me kamera dhe rregulla të reja mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit në nivelin më të lartë.

Kategoritë
Sport