Në kuadër të hulumtimit, duke përdorur imazhe satelitore, u krijua një model për të matur humbjen e ujit në 1.972 liqene veç e veç
Një studim i ri ka zbuluar se ndryshimet klimatike dhe konsumi i tepërt i ujit po i thajnë liqenet më shumë sesa kishin parashikuar shkencëtarët, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve të Washington Post, në studimin e publikuar në revistën Science, janë shqyrtuar 1.972 liqene, të cilët përbëjnë 95 për qind të vëllimit të përgjithshëm të ujit të liqeneve në tokë.
Në kuadër të hulumtimit, duke përdorur imazhe satelitore, u krijua një model për të matur humbjen e ujit në liqene veç e veç.
Është zbuluar se 53 për qind e liqeneve më të mëdhenj në botë humbën mesatarisht 19 deri në 24 gigatonë ujë në vit midis viteve 1992 dhe 2020. Thuhet se kjo është e barabartë me sasinë e ujit të përdorur në një vit në SHBA.
Në studim u konstatua se rreth 36 për qind e humbjes së ujit ishte shkaktuar nga ndryshimet klimatike, të cilat rritën sasinë e ujit që avullohej, ndërsa rreth 20 për qind e humbjes ishte shkaktuar nga konsumimi i ujit nga njerëzit.
“Gjetjet tona sugjerojnë se tharja në mbarë botën është sigurisht më e madhe për sa i përket vëllimit të liqenit sesa është vlerësuar më parë,” tha studiuesi kryesor Fangfang Yao në një deklaratë në lidhje me studimin.
Yao gjithashtu theksoi se njohja e ndryshimit midis ndikimit njerëzor dhe faktorëve natyrorë do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve.
Vihet re se hulumtimi, i cili do të ndihmojë në monitorimin e saktë të tharjes së ujit dhe identifikimin e faktorëve që kontribuojnë në këtë humbje, do të udhëzojë strategjitë që do të zhvillohen në luftën kundër kësaj situate, e cila prek afro 2 miliardë njerëz.