Në aeroportet e BE-së nga nesër rregulla të reja për bagazhet e dorës

Rregullat e reja për bagazhet e dorës në aeroportet e Bashkimit Evropian do të fillojnë të zbatohen nesër, më 1 shtator. Kjo është pasojë e mosbesimit të Unionit në besueshmërinë e skanerëve të gjeneratës së re në aeroportet e BE-së. Në fakt, do të vlejnë rregullat që ishin para paraqitjes së skanerëve të rinj.

Kjo ka të bëjë kryesisht me aeroportet që kanë përdorur skanerët e rinj C3, duke u mundësuar udhëtarëve që lëngjet dhe pajisjet elektronike t’i lënë në çantat e tyre gjatë skanimit, si dhe me aeroportet që kanë hequr kufizimin prej 100 mililitrash për çdo lëng, aerosol ose xhel.

Besueshmëria e skanerëve të përmendur është vënë në pikëpyetje në maj të vitit të kaluar pasi është arritur në përfundimin se nuk janë të besueshëm për enë me përmbajtje më të madhe se 330 mililitra. Pra, aeroportet që kanë përdorur skanerët C3, nesër do të kthehen te pajisjet tradicionale të rrezeve X, gjë që mund të shkaktojë vonesa në disa aeroporte.

Komisioni Evropian e ka paraqitur këtë masë si të përkohshme dhe nuk ka specifikuar sa gjatë do të zbatohet. Në Këshillin Ndërkombëtar të Aeroporteve Evropiane (ACI) besojnë se ky ndryshim përbën një pengesë të madhe si për udhëtarët ashtu edhe për aeroportet.

Kjo do të thotë se në aeroportet me skanerë C3 do të jetë e mundur të mbani shishe prej 100 mililitrash, por ato në bagazhin e dorës duhet të jenë në qese plastike të mbyllura. Shishet më të mëdha nuk do të jetë e mundur të mbahen në bagazhin e dorës, pra do të mund të mbahen vetëm në valixhen që kalon në check-in. Përveç kësaj, gjatë skanimit të bagazhit të dorës, pajisjet elektronike që janë në bagazhin e dorës do të duhet të nxirren jashtë.

Pesha maksimale e lejuar e bagazhit të dorës do të jetë 10 kilogramë dhe çdo udhëtar do të mund të mbajë një pjesë të bagazhit të dorës dhe një send më të vogël personal.

Përmasat e bagazhit të dorës, së bashku me dorezat dhe rrotat, nuk duhet të kalojnë 55 x 40 x 20 centimetra, ndërsa sendet personale, si çanta, shpinorja ose çanta e laptopit, duhet të jenë më të vogla se 40 x 30 x 15 centimetra dhe të përshtaten nën ulësen përpara udhëtarit, shkruan portali Irish Examiner.

Kategoritë
Të ndryshme