Në Beograd Escobar afër Vuçiqit, në Prishtinë evropianët afër Kurtit

Në takime mes zyrtarëve të lartë, jo vetëm ato që thuhen, por të rëndësishme janë edhe ato që nuk thuhen, siç mund të jetë gjuha e trupit, pozicioni i qëndrimit gjatë dhe takimit dhe në fotografitë zyrtare që shpesh përcaktohen me protokoll.

Ka shumë raste kur diplomatët dhe liderët botërorë japin mesazhe pa u deklaruar.

5 diplomatë të rëndësishëm vizituan sot Kosovën dhe pastaj Serbinë, në një përpjekje për t’i dhënë drejtim normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltari diplomatik i Kryeministres së Italisë,  Giorgia Meloni, Francesco Maria Talo dhe i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takuan sot kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në Beograd.

Ajo që është vërejtur në fotografitë pas takimit është se përfaqësuesi i SHBA-së, Escobar, i cili peshon rëndë diplomatikisht, ishte larg kryeministrit Kurti në Prishtinë, ndërsa afër presidentit Vuçiq në Beograd.

Përderisa në krahët e Kurtit kanë qëndruar Lajçaku dhe përfaqësuesi gjerman, në dy krahët e Vuçiq, në fotografi, kanë qenë Lajçak dhe Escobar.

Kategoritë
BotaLajmeRajoniVendi