Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit, Kosova vazhdon të jetë ende nën masa të Bashkimit Evropian për shkak të veprimeve të Qeverisë Kurti lidhur me Veriun e vendit pas zgjedhjeve lokale që ishin mbajtur vitin e kaluar. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, përmes një raporti ka rekomanduar heqjen e tyre, megjithatë vendimi është në dorën e secilit shtet anëtar veç e veç
Por a mund të ketë një vendim lidhur me heqjen e masave brenda këtij viti dhe a ka gjasa që kjo çështje të vihet për diskutim në takimin e Këshillit Evropian që do të mbahet më 18 dhe 19 dhjetor. Lidhur me këtë çështje për Gazetën Express ka folur një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Duke folur për agjendën e takimit të Këshillit Evropian që do të mbahet në dhjetor, ky zyrtar ka thënë se ende s’ka shumë informacione për axhendën, megjithatë ka specifikuar se Këshilli s’vendos për punën e masave.
Ky zyrtar i BE-së tutje ka thënë për Gazeta Express së diskutimet për punën e masave të BE-së vazhdojnë midis shteteve anëtare dhe se s’mund të komentoj më shumë për vazhdimin e procesit e as s’mund të parashikoj rezultatet e diskutimeve
“Diskutimet për çështjen e masave të përkohshme të BE-së ndaj Kosovës vazhdojnë midis shteteve anëtare, kështu që nuk mund të komentoj për këtë proces në vazhdim, as nuk mund të parashikoj rezultatet e diskutimeve të tilla”, ka thënë tutje ky zyrtar i BE-së.
Në fund, ai ka sqaruar se masat mund të hiqen vetëm nëse asnjë shtet anëtar i BE-së nuk kundërshton, megjithatë potencon se në këtë fazë s’mund të parashikohet nëse dhe kur mund të ndodh një gjë e tillë.
“Procedura kërkon konsensus midis shteteve anëtare, që do të thotë se masat do të hiqen nëse askush nuk e kundërshton atë. Në këtë fazë, nuk është e mundur të parashikohet nëse dhe kur do të ndodhë kjo”, ka përfunduar për Gazetën Express ky zyrtar i BE-së.
Gazeta Express ditë më parë ka raportuar lidhur me qëndrimet e kryeqendrave të BE-së sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës. Gjermania e kancelarit Olaf Scholz përkrah heqjen e masave ndaj Kosovës, Italia e kryeministres Giorgia Meloni është pro një heqjeje graduale të masave, ndërkohë qëndrimi i Francës së presidentit Macron është ndikuar për të keq nga veprimet qe Qeveria Kurti ka ndërmarrë së fundi në raport me Veriun.
“Rritja e veprimeve të njëanshme nga autoritetet e Kosovës në veri të vendit që ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb ngre dyshime për përkushtimin e Kosovës për të de-përshkallëzuar. Vendimi përfundimtar i takon Këshillit”,
Për këtë çështje për Gazetën Express në tetor kanë folur edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë duke thënë se veprimet e pakoordinuara s’ndihmojnë për arritjen e konsensusit për në BE për t’ia hequr masat Kosovës.
“Ne e kemi theksuar gjithmonë në mënyrë të qartë se një mënyrë e tillë veprimi përjashton hapat e pakoordinuar nga të dyja palët. Hapat e tillë nuk janë të favorshëm për ndërtimin e konsensusit midis shteteve anëtare të BE-së për masat për të cilat po pyesni
Bashkimi Evropian kishte vendosur në qershor të vitit 2023 që t’i vendosë masa ndëshkuese Kosovës pas veprimeve të Qeverisë Kurti në Veri të Kosovës dhe mos dëgjimit të kërkesave të aleatëve për të mos i dërguar kryetarët nëpër objektet e komunave në Veri të vendit.
Masat përfshinin pezullimin e përkohshëm të punës në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe gjithashtu Kosova nuk do të ftohej në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, kishte hartuar një listë kërkesash që Kosova duhej t’i plotësonte për de-eskalim. Në këto kërkesa përfshiheshin pezullimi i operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale, zhvendosja e kryetarëve nga objektet komunale dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale për katër komunat Veriore.
Për plotësimin e këtyre kërkesave për de-eskalim, Borell ka hartuar edhe një raport të cilin ua ka dorëzuar shteteve anëtare të BE-së. Përmbajtja e tij s’është bërë publike.