Në Çarshinë e Shkupit emërohet rruga “Ukshin Hoti”, organizohet edhe ekspozitë

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka njoftuar për vendosjen e një pllake në nderim të veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti. Një rrugë në Shkup tashmë do ta bartë emrin e profesorit të cilin serbët e zhdukën 23 vjet më parë.

“Kur këtë vit u bënë 23 vjet nga zhdukja e figurës emblematike të veprimtarit dhe ideologut të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, bashkë me motrën e tij zonjën e nderuar Myrvete Hoti me krenari shpalosëm pllakën që do të ruajë madhështinë e emrit të Ukshinit në një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare tha se “është nder për Shkupin dhe gjithë Maqedoninë e Veriut të ketë emër rruge të fabrikës më të mirë të mendimit progresiv gjeopolitik dhe gjeostrategjik, emër që saherë do ta shohim do të na frymëzojë të punojmë për të njejtin ideal që ai proklamonte, atë të lirisë dhe përparimit të kombit”.

“Ekspozita “Bëje ose vdis” kushtuar Ukshin Hotit e sjellë në Shkup nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës na freskoi kujtimin për atdhedashurinë dhe madhështinë e mendimit të tij”, shkroi ai.

“Mirënjohje edhe për angazhimin institucional të Qeverisë së vendit, Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Komunës së Çairit që ky emër të shikohet, ndëgjohet dhe nderohet pafund edhe në vendin tonë”, ka shkruar Ahmeti.

Kategoritë
LajmeRajoni