Në disa vende “ftohtësi e rrezikshme”, ndërsa në Rio de Janeiro u shënua dita më e nxehtë: Plazhe të mbushura plot, por edhe spitale

Rio de Janeiro shënoi ditën më të nxehtë në një dekadë, kur temperaturat të hënën arritën 44 gradë Celsius, ndërsa pamjet nga qyteti tregojnë banorët që kërkojnë freski në oqean.

Autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërime për temperatura ekstreme për ditët në vijim, kanë vendosur pika hidratuese dhe kanë përgatitur sistemin shëndetësor publik për të përballuar rritjen e rasteve të lidhura me të nxehtin.

Meteorologët paralajmërojnë se ky muaj shkurt pritet të jetë një nga më të thatët në histori.

Kryetari i bashkisë së Rios, Eduardo Paes, të dielën përjashtoi mundësinë e anulimit të festimeve të karnavalit që do të arrijnë kulmin javët e ardhshme, por këshilloi qytetarët të marrin masa paraprake.

“Presim verën më të nxehtë në disa vite,” tha të hënën për AFP ministri i shëndetësisë së Rios, Daniel Soranz.

Në janar, mbi 3.000 persona morën ndihmë në shërbimet emergjente komunale për shkak të nxehtësisë së madhe, dyfish më shumë se vitet e kaluara.

Ndërkohë, situata në SHBA të hënën ishte krejt ndryshe. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik paralajmëroi për “ftohtësi kërcënuese për jetën” për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta.

Kategoritë
BotaLajme