Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) publikuan pamjet e sulmit ajror të kryer më 27 shtator 2024 në periferi jugore të Bejrutit, të njohura si Dahiyeh, i cili rezultoi me vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Sulmi çoi gjithashtu në vdekjen e mbi 20 zyrtarëve të tjerë të lartë të kësaj organizate, përfshirë komandantin e frontit jugor, Ali Karaki. Pamjet u publikuan në ditën e varrimit të Nasrallahut në kryeqytetin libanez.
Sipas IDF-së, avionët luftarakë izraelitë hodhën 82 bomba të rënda mbi selinë kryesore nëntokësore të Hezbollahut në Dahiyeh, duke shkaktuar shembjen e disa ndërtesave. Edhe pse objektivat ushtarake ishin shënjestra kryesore, sulmi rezultoi edhe me viktima të shumta civile.
Sipas raportimeve nga Ministria e Shëndetësisë së Libanit, në sulm humbën jetën të paktën 37 civilë, përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sot në Bejrut u mbajt varrimi i liderit afatgjatë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, pothuajse pesë muaj pas vrasjes së tij në sulmin ajror izraelit. Dhjetëra mijëra mbështetës u mblodhën në stadiumin Camille Chamoun Sports City, duke mbajtur fotografitë e Nasrallahut dhe flamujt e Hezbollahut për të nderuar liderin e tyre.
Megjithëse Nasrallah u vra disa muaj më parë, ceremonia publike e varrimit u shty për arsye sigurie. Ngjarja e sotme shërbeu si një mundësi për mbështetësit nga Libani dhe vende të tjera që të mblidheshin për të shprehur dhimbjen dhe mbështetjen e tyre.
Gjatë ceremonisë, avionët luftarakë izraelitë fluturuan dy herë mbi Bejrut, duke shkaktuar thirrjet “Vdekje Izraelit” nga të pranishmit. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, deklaroi se këto fluturime dërguan një mesazh të qartë:
“Kushdo që kërcënon shkatërrimin e Izraelit dhe sulmon Izraelin – ky do të jetë fundi i tij.”
Naim Qassem, lideri aktual i Hezbollahut, iu drejtua të pranishmëve përmes një video-lidhjeje nga një vend i panjohur, duke theksuar se organizata mbetet “e fortë” pavarësisht humbjeve.
Ndër të pranishmit ishin edhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi, një delegacion nga Iraku me politikanë shiitë dhe komandantë të milicive, si dhe përfaqësues të Huthëve jemenas.