“Ne do të qëndrojmë ne Gaza, do ta rindërtojmë atë”

“Edhe sikur të na ofrojnë të gjitha tokat e botës, ne nuk do ta braktisim Gazën, do ta rindërtojmë gur më gur”, thotë njëri nga të zhvendosurit palestinezë

Pasi qëndruan të zhvendosur për më shumë se 15 muaj për shkak të luftës gjenocidale izraelite, dhjetëra mijëra palestinezë u kthyen në pjesët veriore të Gazës, një skenë që kishin frikë se nuk do ta përjetonin kurrë, raporton Anadolu.

Pavarësisht sfidave, personat që kthehen janë të vendosur të rindërtojnë jetën dhe atdheun e tyre, me shpresë se Gaza do të ngrihet sërish.

Një palestinez i zhvendosur, Abu Mustafa, duke marshuar në këmbë me familjen e tij, shprehu ndjenjat e tij duke thënë: “Ne do ta rindërtojmë Gazën, ne nuk do ta braktisim Gazën. Kërcënimet tuaja, Trump, nuk do të na trembin. Ne do të qëndrojmë në Gaza, betohemi! Edhe sikur të na ofrojnë të gjitha tokat e botës, ne nuk do ta braktisim Gazën, do ta rindërtojmë gur më gur”.

Ashraf Rady, një tjetër person i zhvendosur, shprehet: “Sot është një ditë e madhe, një ditë historike. Kthimi ynë në shtëpitë tona ishte vetëm një ëndërr, tani është bërë realitet. Ne do të kthehemi edhe më të mirë se sa ishim më parë, dhe Gaza do të ngrihet përsëri. Populli do të jetojë në liri, nder dhe dinjitet”.

Amir Zahid, një artist dhe muzikant vendas, i cili teksa ecte bashkë me turmën, bënte muzikë bashkë me mikun e tij me darbukë , tha: “Gëzimi që po ndjejmë është i jashtëzakonshëm, por në të njëjtën kohë, është i hidhur sepse kemi humbur kaq shumë njerëz të dashur, shtëpitë tona, punën tonë, paratë tona dhe mjetet tona të jetesës”.

Palestinezët e zhvendosur u kthyen nga rajonet jugore dhe qendrore në Gaza drejt veriut nëpërmjet dy rrugëve kyçe përgjatë boshtit Netzarim, i cili u krijua nga ushtria izraelite më 27 tetor 2023, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në bazë të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, rikthimi i palestinezëve të zhvendosur brenda Gazës filloi dje rreth orës 7:00 të mëngjesit me orën lokale.

Gjatë muajve të gjenocidit, Izraeli shkatërroi afërsisht 88 për qind të Rripit të Gazës, duke përfshirë shtëpitë, infrastrukturën, spitalet, shkollat ​​dhe shërbimet thelbësore.

Armëpushimi ka sjellë lehtësim të përkohshëm, por situata humanitare mbetet e rëndë. Si pasojë e luftës gjenocidale të Izraelit ndaj Gazës janë vrarë më shumë se 47.300 palestinezë dhe mbi 111.400 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023. Shumë familje janë ende të pikëlluar për humbjen e të dashurve, dhe më shumë se 11.000 njerëz raportohen të zhdukur.

Kategoritë
BotaLajme