Në Doha mbahet takimi i Komitetit të Lartë Ushtarak Turqi-Katar

Në takim u diskutuan çështjet për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ushtarake dhe të sigurisë

Në takimin e 5-të të Komitetit të Lartë Ushtarak Türkiye-Katar që u mbajt në kryeqytetin Doha të Katarit u diskutuan çështjet për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ushtarake dhe të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes e Katarit, thuhet se takimet e komitetit u kryesuan nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Türkiye-s, gjenerali Yaşar Güler dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Katarit, Salem Hamad Aqeel Al-Nabit. Në takim morën pjesë edhe zyrtarë ushtarakë të nivelit të lartë nga të dy vendet.

Në deklaratë nuk u dhanë informacione të detajuara lidhur me takimin.

Pas takimit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Türkiye-s, gjenerali Yaşar Güler, vizitoi Ambasadën e Türkiye-s në Doha dhe Komandën Turke të Forcave të Përbashkëta në Katar.

 Bashkëpunimi ushtarak

Me Komitetin e Lartë Strategjik që u formua mes Katarit dhe Türkiye-s në vitin 2014 është shënuar përparim i madh, kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake.

Në kuadër të “Marrëveshjes së përbashkët lidhur me formimin e Komitetit të Lartë Strategjik mes Republikës së Türkiye-s dhe shtetit të Katarit” që u nënshkrua më 19 dhjetor 2014, u sigurua baza ushtarake e Forcave të Armatosura Turke në Katar, bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe trajnimit ushtarak mes dy vendeve.

Në përputhje me marrëveshjen, Forcat e Armatosura Turke u vendosën në Katar dhe u zhvilluan stërvitje të përbashkëta midis dy vendeve.

Së fundmi, më 14 dhjetor 2019, baza e Komandës Turke e Forcave të Përbashkëta në Katar u inaugurua me një ceremoni ku morën pjesë ministrat e Mbrojtjes dhe Shefat e Shtabit nga të dy vendet dhe baza u emërtua “Baza Khalid Bin al-Walid”.

Kategoritë
BotaLajme