Në dy komuna lansohet pilot-projekti elektronik për ndërlidhjen e qytetarit me adresë

Kreu i Komunës së Mitrovicës, Hamza tha se projekti i unifikimit të adresave është projekt i rëndësisë së veçantë ngase më shumë se disa dekada me këtë problem ballafaqohen qytetarët e Kosovës, bizneset dhe institucionet

Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar pilot-projektin elektronik për unifikimin e adresave apo Lidhjen e Qytetarit me Adresë Unike, për herë të parë në dy komuna në Kosovë, Mitrovicë të Jugut dhe në Istog, raporton Anadolu Agency (AA).

Projekti synon që nëpërmjet ndërlidhjes së tillë të ndikojë në përmirësimin e situatës në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, sigurinë e dokumenteve, proceset elektorale, luftimin e krimit dhe në tërësi në situatën e sigurisë në vend.

Drejtori i Drejtoratit të Gjendjes Civile në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Camaj tha se ky projekt nuk do të kishte sukses pa bashkëpunim me komunat, derisa theksoi se ai do të lehtësojë punën në shumë organe lokale e qendrore të institucioneve.

Ai tha se ky projekt është përzgjedhur që të implementohet fillimisht në Mitrovicë dhe në Istog për shkak të rëndësisë së veçantë që dallojnë nga njëra-tjetra sa i përket sistemit të adresave të tyre. “Projekti do të ketë rëndësi të veçantë tek departamente të ndryshme, si ajo e gjendjes civile nëpër komuna, drejtoritë e urbanizmit, e të tjera”, theksoi ai.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza tha se projekti i unifikimit të adresave është projekt i rëndësisë së veçantë ngase më shumë se disa dekada me këtë problem ballafaqohen qytetarët e Kosovës, bizneset dhe institucionet. Ai tha se është i lumtur që për implementimin e këtij projekti është zgjedhur Komuna e Mitrovicës.

“Jam i bindur se projekti do të implementohet suksesshëm, në kohë, do të jemi serioz dhe të përkushtuar në këtë punë për shkak se ka vështirësi sidomos për bizneset edhe me rastin e regjistrimit, ka problem edhe me institucione gjyqësore, gjykata dhe institucione tjera por normalisht kjo është problem edhe për qytetarët në këtë rast specifikisht për qytetarët e Mitrovicës së Jugut”, theksoi Hamza.

Mungesa e sistemit të unifikuar të adresave ka krijuar probleme për një sërë fushash, si taksat, regjistrimi civil, të drejtat pronësore, qasja në drejtësi dhe administrimi i zgjedhjeve. Për të adresuar sfida të tilla, institucionet e Kosovës të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë kanë filluar punën për krijimin e Sistemit të Adresave që nga viti 2010, sistem ky që vazhdon të zbatohet tani, mirëpo së cilës i ka munguar ndërlidhja e saj me qytetarin për të shërbyer maksimalisht në funksionin për të cilën është krijuar.

Përmes këtij sistemi, i cili bazohet në të dhënat që merr nga Sistemi i Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile (ARC) dhe Sistemi i Informimit të Regjistrit të Adresave (AKK), synohet të bëhet ndërlidhja e regjistrit të gjendjes civile me regjistrin e adresave, duke krijuar adresë unike për secilin shtetas që jeton në Kosovë.

Projekti në fjalë mbështetet nga GIZ-i Gjerman ndërsa projektin do ta finalizojë Banka Botërore.

Kategoritë
LajmeVendi