Në Gjermani fillojnë diskutimet mbi mbylljen e partisë së ekstremit të djathtë, AfD

Ministri i Brendshëm i Shtetit të Thüringen, Georg Maier, tha se partia AfD përmbush qartë disa nga kriteret që përbëjnë bazën për ndalimin dhe sipas tij AfD është hapur antikushtetuese.

Në Gjermani, ministri i Brendshëm i Shtetit të Thüringen, Georg Maier, bëri thirrje për përgatitje për ndalimin e Partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë.

“Unë mendoj se tani duhet të bëhen përgatitje për procedurën e ndalimit”, tha Maier për gazetën “taz”.

Maier tha se partia AfD, e cila klasifikohet si ekstremiste e djathtë në shtetin e Thüringenit, përmbush qartë disa nga kriteret që përbëjnë bazën për ndalimin dhe sipas tij AfD është hapur antikushtetuese dhe nuk e fsheh qëllimin e saj për të shkatërruar rendin themelor të lirë demokratik.

Kryetari i Partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), Friedrich Merz, e cila është partia kryesore opozitare në Gjermani tha se ndalimi i AfD do të ishte i padobishëm.

“Nuk më duken shumë të dobishme procedura të tilla ndalimi. Ata riorganizohen dhe bashkohen me një parti tjetër. Më pas loja fillon përsëri”, tha Merz për televizionin Welt.

Kreu i CDU-së deklaroi se është e mundur të shqyrtohet forcimi i ligjeve për armët për këtë çështje dhe tha: “Nëse rezulton se personat e këtij segmenti posedojnë armë legalisht, atëherë kjo duhet vërtet të kontrollohet”.

Fakti që ish-deputetja e Bundestagut nga partia AfD, Birgit Malsack-Winkemann, ishte mes të arrestuarve në kuadër të hetimit të kryer kundër organizatës së quajtur “Reichsbürger”, e cila dyshohet se kishte planifikuar grusht shteti në Gjermani, solli diskutimin edhe për ndalimin e AfD-së.

Kategoritë
BotaLajme