Policia gjermane ka filluar të përdorë kamera të posaçme për të identifikuar shoferët që përdorin telefona celularë gjatë drejtimit të automjetit.
Autoritetet kanë theksuar se përdorimi i telefonit gjatë vozitjes është një nga shkeljet më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Për të parandaluar këtë dukuri, kamera e parë e këtij lloji – e njohur si monocam – është vendosur përgjatë autostradës A60 pranë qytetit Mainz, në landin Rheinland-Pfalz (Porajnje-Falcka).
Ministri i Brendshëm i këtij landi, Michael Elbing, theksoi gjatë vendosjes së kamerës se një sekondë shikim në telefon, gjatë vozitjes me shpejtësi 100 km/h, nënkupton që shoferi ka udhëtuar 30 metra pa parë rrugën – praktikisht duke vozitur “i verbër”.
Vetëm në këtë land, vitin e kaluar janë regjistruar mbi 1.000 aksidente trafiku të shkaktuara nga përdorimi i telefonit, në të cilat kanë humbur jetën tre persona.
Gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes në Gjermani është 100 euro dhe një pikë negative në patentë.
Policia e Mainzit ka njoftuar se, vetëm në orën e parë pas instalimit të kamerës, janë regjistruar katër shoferë me telefon në dorë, raportojnë mediat gjermane.