Në Hagë do të krijohet qendër për hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë

“Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e saj të tmerrshme. Putin duhet të mbahet përgjegjës. Ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për të vënë para drejtësisë autorët”, tha shefja e Komisionit të BE-së

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE), Ursula von der Leyen, deklaroi se në Hagë të Holandës do të krijohet një qendër ndërkombëtare për hetimin e krimeve të kryera në luftën në Ukrainë dhe se ky është hapi i parë drejt krijimit të një gjykate speciale të luftës, transmeton Anadolu.

Von der Leyen, në një video-mesazh, deklaroi se Rusia ka kryer sulme ndaj civilëve dhe ka dëmtuar energjinë dhe infrastrukturën në Ukrainë.

Von der Leyen tha se forcat ruse kanë kryer tortura, keqtrajtime, dhunë seksuale dhe ekzekutime jashtëgjyqësore.

“Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e saj të tmerrshme. (Presidenti rus Vladimir) Putin duhet të mbahet përgjegjës. Ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për të vënë para drejtësisë autorët”, tha ajo.

Shefja e Komisionit deklaroi se BE-ja mbështet rolin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për këtë arsye, duke shtuar: “Ne besojmë se është e nevojshme një gjykatë speciale ku do të gjykohen krimet e kryera nga Rusia”.

Ajo theksoi se nënshkrimi i një marrëveshjeje për krijimin e një qendre ndërkombëtare për hetimin e krimeve të luftës në Hagë në konferencën që mbahet në Ukrainë këtë fundjavë, do të jetë hapi i parë i gjykatës speciale te luftës që synohet të krijohet.

Sipas informacioneve të shpalosura nga Komisioni i BE-së, në konferencën në Ukrainë do të nënshkruhet një marrëveshje e rishikuar për ekipin ekzistues të përbashkët hetimor në kuadër të Eurojust-it, agjencisë së BE-së për bashkëpunim për drejtësinë penale.

Ekipi i përbashkët hetimor do të ngarkohet me hetimin e krimeve ndërkombëtare të kryera në Ukrainë dhe mbledhjen e provave. Ekipi do të përfshijë ekspertë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, Ukraina, Lituania, Polonia, Estonia, Letonia, Sllovakia dhe Rumania.

Kategoritë
BotaLajme