Në Istanbul do të ndërtohet spital për trajtimin e sëmundjeve të rralla

Ministri i Shëndetësisë së Türkiye-s, Fahrettin Koca tha se në Istanbul do të ndërtohet një spital i posaçëm për aplikimin e terapive qelizore dhe gjenetike për trajtimin e sëmundjeve të rralla.

Ministri i Shëndetësisë së Türkiye-s, Fahrettin Koca tha se në Istanbul do të ndërtohet një spital i posaçëm për aplikimin e terapive qelizore dhe gjenetike për trajtimin e sëmundjeve të rralla dhe se në të njëjtin kampus do të prodhohen edhe ilaçet që përdoren në trajtimin qelizor dhe gjenetik, raporton Anadolu.

Ministri Koca iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas takimit të parë të Kabinetit Presidencial.

Ai tha se janë jashtëzakonisht të ndjeshëm në çështjen e sëmundjes SMA (Atrofi muskulare kurrizore – spinale). “Nuk tolerojmë që kjo sëmundje të përdoret si mjet abuzimi. Kemi Bordin tonë Shkencor të SMA-së. Mundësohet sigurimi i ilaçit që ka provuar dobi”, tha Koca.

Duke shpjeguar se Bordi Shkencor i SMA-së, përcakton se ndaj kujt mund të aplikohet terapia gjenetike dhe se ndaj cilit grup të sëmurësh mund të përdoret, Koca tha: “Ekziston një grup të sëmurësh mbi të cilin është efektiv. Kemi bërë planin tonë për ta zbatuar. Së shpejti do të kalojë në praktikë. Në këtë çështje ka një zhvillim të rëndësishëm. Në Istanbul po ndërtojmë një spital të ri për trajtimin e sëmundjeve të rralla”.

“Ky spital do të jetë i posaçëm për zbatimin e terapive qelizore dhe gjenetike. Në të njëjtin kampus me spitalin do të jetë një kompleks që do të prodhojë ilaçet që përdoren në trajtimin qelizor dhe gjenetik. Në këtë mënyrë do të prodhojmë vetë ilaçin dhe do ta zbatojmë vetë trajtimin”, tha ministri Koca.

Ai theksoi se kanë publikuar rregullore për krijimin e Qendrave të Jetës së Shëndetshme, kryesisht me përparësi për personat 80 vjeç e lart. Ministri shpjegoi se kanë bërë planifikimin që një Qendër e Jetës së Shëndetshme të jetë për 250 persona dhe të përfshijë dy infermierë dhe një sekretar mjekësor.

Koca njoftoi se në të gjithë Türkiye-n do të kalohet në praktikën e mjekut dentist të familjes e cila vazhdohet si praktikë pilot në tre qytete.

“Kemi planifikuar të kemi një mjek familje dentist për rreth 10 mijë persona. Në këtë projekt do të përfshihen rreth 8 deri 10 mijë mjekë dentistë të familjes. Synojmë që ta plotësojmë këtë numër duke bërë pranime të reja shtesë përveç dentistëve që janë në detyrë aktualisht në këtë fushë”, tha Koca.

Kategoritë
BotaLajme