Në rrugët e Kaštel Sućurac në Dalmaci, sot u organizua Sućuraški Karneval për të 26-tën herë, dhe në të u vendos një kukull me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Sipas traditës, në fund të çdo karnavali, digjet një trung simbolik, i cili konsiderohet fajtori për të gjitha problemet e vitit të kaluar. Këtë herë, ai u zëvendësua me një kukull me portretin e Vuçiçit, ndaj së cilës u lexua një akt-dënim.
“Dhe për këtë je fajtor. Je fajtor sepse kurrë nuk e ke pranuar të vërtetën për luftën. Nxit urrejtje dhe provokon, përhap ideologjinë e Serbisë së Madhe. Thompson nuk mund të këndojë në Pulë, prandaj as Severina nuk mund të këndojë në Beograd. Kroacia është gjithmonë fajtore për ty dhe e sulmon kudo që mundesh. Hiqesh si viktimë, përzihesh aty ku nuk të takon. Hiqesh si udhëheqës i madh, gënjen, pretendon se je paqebërës. Ende jeton në vitet ’90, mbështet kriminelë, krijon përçarje. Je fajtor për gjithçka që je dhe nuk je, prandaj digje”, thuhet në dënimin që Dalmacija Danas ka raportuar.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe vetë Vuçiç. Ai theksoi se është hera e dytë radhazi që një kukull me portretin e tij digjet në Kroaci dhe shtoi se shpreson që kjo të ndodhë edhe në dy vitet e ardhshme.
“Jam shumë krenar për këtë fakt dhe po hyj gradualisht në historinë serbe. Nuk ka shenjë më të bukur se kjo që kam bërë shumë gjëra të mira për të mitë – për popullin serb”, tha Vuçiç gjatë një bisede me qytetarët.
Ai u zotua se do të vazhdojë të luftojë edhe më fort për popullin serb dhe për qytetarët e Serbisë, në mënyrë që kroatët të kenë gjithnjë e më shumë arsye për të djegur kukullën me portretin e tij.