Në Kirurgjinë Abdominale u kërkohet pacientëve t’i blejnë pajisjet nëse duan të kryejnë punë

Pacientët të cilët duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike në Kirurgjinë Abdominale, së pari duhet të kujdesen që t’i sigurojnë pajisjet e nevojshme, të cilat duhen për operim. E gjithë kjo pasi që klinikës i mungojnë pajisjet të cilat i duhen për kryerjen e ndërhyrjeve të tilla laporaskopike.

E mjekët detyrohen që t’i kërkojnë pacientëve që të merren dhe me këtë punë, e cila do të duhej të ishte punë e Klinikës. Pasi që klinikat nuk kanë barna e as pajiset e nevojshme për funksionim, barra ka kaluar tek pacientët, të cilët detyrohen t’i sigurojnë vet dhe pajisjet për ndërhyrje kirurgjike.

Pacientët të cilët përballen me një gjendje të rënduar ekonomike e të cilët ia mësyjnë QKUK-së, duhet që të vrapojnë nga një barnatore tek tjera, e nga një depo tek tjetra, për t’i siguruar materialet e nevojshme për klinikën, si në rastin në fjalë për kirurgjinë Abdominale. Në të kundërtën nuk mund t’i kryejnë ndërhyrjet e nevojshme .

Një pacient i cili po pret që një familjar i tij të ketë një ndërhyrje me Laporaskopi në Kirurgjinë Abdominale, ka thënë se i është dashur t’i blej së pari pajisjet të cilat i mungojnë klinikës dhe se tash po pret në radhë për ndërhyrje Laporaskopike. Pacienti i cili deshi të mbetet anonim, pasi që familjari i tij do t’i nënshtrohet një ndërhyrje në këtë klinikë, tha se mjeku u ka thënë se duhet t’i blejnë pajisjet, pasi që klinika nuk i ka.

“Në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale (Laporaskopi) të gjithë pacientët që thirren për operim, iu kërkohet t’i blejnë produktet që u duhen gjatë intervenimit, pasi që klinika nuk i ka. Unë e kam një familjar timin i cili po pret për operim dhe se pajisjet më është dashur vet me i ble. Unë i kam ble dhe se çmimi i tyre në barnatore dhe depo është për një Trockar 11&12 ml prej 70 deri në 100 euro dhe se këto gjinden vetëm në dy depo që kanë pajisje medicinale. Ndërsa një klip i gjelbërt dhe i verdhë 20 deri në 22 euro këto gjinden në barnatore si dhe fllastera, gaza. Të gjithë pacientëve mjeku që i kontrollon iu thotë se duheni me i ble këto se s’ka”, tha ai.

Megjithëse i është dashur që vet t’i siguroj pajisjet, ai nuk e vë fajin tek mjeku, por tek institucionet tjera si drejtoria e SHSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat duhet t’i sigurojnë barnat dhe pajisjet e nevojshme, për klinikat e QKUK-së.

“Kjo nuk është në rregull, por mjeku nuk ka faj sepse është i detyruar. Nëse don me kry punën duhet me i ble. Ai nuk ka faj. Nëse nuk i blen operacioni nuk mund të kryhet, sepse nuk i kanë pajisjet”, tha ai.

I kontaktuar nga “IndeksOnline”, drejtori i Kirurgjisë Abdominale Enver Fekaj nuk preferoi të flas për të gjitha këto që po ndodhin në klinikën që ai udhëheq.

“Nuk mund të flas tani. I dërgon pyetjet ne e-mail e iu përgjigjem nëse kam kohë”, tha ai.

Kategoritë
LajmeVendi