Në Kosovë filloi procesi i votimit për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi

Sipas Komisionit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 qytetarë me të drejtë vote.

Në Kosovë ka nisur votimi për shtetasit turq që jetojnë në këtë vend për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Türkiye më 28 maj, raporton Anadolu.

Një numër i qytetarëve kanë pritur në radhë për të votuar para Ambasadës së Türkiyes në Prishtinë nga ora 8:00, kur u hapën kutitë e votimit, derisa votimi do të zgjasë deri në orën 22:00.

Sipas Komisionit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 2 mijë e 192 qytetarë me të drejtë vote të cilët do të kenë mundësi të votojnë përgjatë dy ditëve në dy pika votimi në territorin e vendit: në Ambasadën e Türkiyes në Prishtinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Prizren.

Pjesë e procesit të votimit është bërë edhe ambasadori i Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale të ambasadës publikoi fotografi duke votuar.

Pjesëmarrja në raundin e parë të zgjedhjeve nga Kosova ka qenë 48,54 për qind.

Pas përfundimit të procesit të votimit, votat, sikurse në rundin e parë, do të barten në mënyrë të sigurt nga Kosova për në Istanbul me fluturimin e planifikuar të Turkish Airlines dhe nën vëzhgimin e përfaqësuesve politikë me të drejtë pjesëmarrjeje.

Kategoritë
LajmeVendi