Në një shtëpi në Ferizaj, hajnat vjedhin para dhe stoli ari në vlerë prej mbi 40 mijë euro

Mbrëmjen e së hënës (02.01.2023), hajnat kanë plaçkitur një shtëpi e cila gjendet pranë magjistrales Ferizaj-Shkup, afër “Bau Market”, ku kanë vjedhur para dhe stoli ari në vlerë mbi 40 mijë euro dhe dy armë.

Rastin e ka konfirmuar Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka thënë se Policia ka marrë veprimet e nevojshme dhe po punon intensivisht për të ndriçuar sa më shpejt rastin.

“Më datën 02.01.2023 rreth orës 23:30 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shkup afër ‘Bau Market’ në një shtëpi private ishte një rast i vjedhjes së rëndë. Policët e rendit e më pas hetuesit rajonal së bashku me krim teknikët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokurorisë Themelore në Ferizaj kanë nisur hetimet”, ka thënë Veseli.

“Nga informatat e para është mësuar se rreth orës 17:00, pronari i shtëpisë A.P. (38 vjeçar) së bashku me anëtarët e tjerë të familjes kishin dalë nga shtëpia dhe me t’u kthyer rreth orës 23:00 kanë vërejtur se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë nga dritarja e shtëpisë dhe nga aty, sipas viktimës kanë vjedhur 38 mijë euro para kesh, stoli ari në vlerë 3 mijë euro, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie, për tëcilat posedon leje”, ka thënë Veseli.

Sipas Veselit, Policia ka marrë veprimet e nevojshme dhe po punon intensivisht për të ndriçuar sa më shpejt rastin.

Kategoritë
LajmeVendi