Në zjarrin që shpërtheu të martën në mëngjes në një hotel 11-katësh në qendrën turistike të Kartalkaya-s, kanë humbur jetën 66 persona dhe janë plagosur 51 të tjerë.
Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në katin e katërt të hotelit me 161 dhoma, thuhet në deklaratën e Zyrës së Guvernatorit të Bolu-s. Hoteli, i vendosur në një shkëmb, paraqiti një sfidë të madhe për zjarrfikësit që po përpiqeshin të kontrollonin flakët.
Ekipet e emergjencës, përfshirë 30 automjete zjarrfikëse dhe 28 ambulanca, u angazhuan nga Bolu dhe provincat fqinje. Në operacionin e shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit morën pjesë gjithsej 85 automjete dhe 231 persona, ndërsa përforcimet vazhdojnë të mbërrijnë.
Në pamjet televizive shihen flakët që përpijnë katet e sipërme dhe çatinë e hotelit. Po ashtu, janë regjistruar skena ku automjetet zjarrfikëse rrethojnë ndërtesën e djegur dhe çarçafë të bardhë të lidhur së bashku që varen nga dritaret, ndërsa mysafirët e dëshpëruar përpiqeshin të shpëtonin.
Zjarri përkoi me pushimet shkollore në Turqi, një periudhë kulmore për familjet nga Stambolli dhe Ankara që vizitojnë malet e Bolu-s për sportet dimërore.
Guvernatori i Bolu-s, Abdulaziz Aydın, tha se zjarri shpërtheu në katin e restorantit, megjithëse shkaku i tij është ende duke u hetuar. Në momentin e incidentit, në hotel ishin të pranishëm 234 mysafirë.
Ministri i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, njoftoi një hetim gjyqësor të udhëhequr nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bolu-s, me pjesëmarrjen e gjashtë prokurorëve dhe një komiteti ekspertësh prej pesë anëtarësh për të hetuar shkakun e zjarrit.
Dëshmitarët kanë përshkruar skena tronditëse. Barış Salgür, i cili punon në një hotel fqinj, tha se ndodhej në dhomën e tij kur dëgjoi ulërima.
“Pashë njerëz që kërkonin ndihmë nga dritaret. Ne sollëm litarë, jastëkë dhe batanije. Para se të mbërrinin zjarrfikësit, dy gra u hodhën nga katet e sipërme,” tha Salgür për gazetarët.
Instruktori i skijimit, Necmi Kepcetutan, një banor i hotelit, tha se u zgjua mes kaosit dhe ndihmoi për të shpëtuar rreth 20 mysafirë.
“Tyma ishte mbytëse dhe njerëzit e kishin të vështirë të gjenin daljet e emergjencës,” tha ai për televizionin NTV.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se po e ndjek nga afër situatën.
“Uroj mëshirën e Allahut për qytetarët tanë që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit,” shkroi Erdogan në X.
Qendra turistike e Kartalkaya-s, e vendosur në malet Köroğlu, ndodhet rreth 38 kilometra nga Bolu dhe 270 kilometra nga Stambolli. Hotelet e tjera në këtë zonë janë evakuuar për arsye sigurie, dhe mysafirët janë strehuar në ambiente të tjera në Bolu.
Autoritetet vazhdojnë hetimin e shkakut të zjarrit, duke premtuar një hetim të plotë për këtë tragjedi.