Në një zjarr të madh u lëndua edhe një futbollist, anulohen të gjitha garat sportive në Maqedoninë e Veriut

Një tragjedi e madhe tronditi Maqedoninë e Veriut këtë mëngjes. Pas shpërthimit të një zjarri rreth orës 3 të mëngjesit në diskotekën “Puls” në Koçan, sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, kanë humbur jetën 51 persona, ndërsa të gjitha garat sportive janë shtyrë.

Lajmi për zjarrin tragjik është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, ndërsa shumë të rinj që ndodheshin në diskotekë, përfshirë edhe sportistë, ende konsiderohen të zhdukur. Në një tjetër event muzikor në një diskotekë në Shtip ndodhej edhe futbollisti i ri i Shkupit, Andrej Lazarov (25).

Familja dhe miqtë e tij bënë thirrje për çdo informacion mbi Lazarovin përmes rrjeteve sociale, ndërsa kërkimet për të zhdukurit e tjerë vazhdojnë.

Fatmirësisht, u konfirmua se Lazarov është gjetur dhe është shtruar në spitalin e Shtipit, pasi ka pësuar djegie nga zjarri.

Gjatë karrierës së tij, Lazarov ka veshur fanellat e Rabotniçkit dhe Tikveshit në Maqedoni, si dhe të ekipeve kroate Rudeš dhe Gorica, përpara se të rikthehej te Shkupi.

Më shumë se 1.500 njerëz ishin të pranishëm në koncertin në diskotekën “Puls” në Koçan. Zjarri shpërtheu në orën 3 të mëngjesit si pasojë e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, gjë që çoi në asfiksinë e të pranishmëve dhe një situatë kaotike, ku dhjetëra persona humbën jetën në panik.

Kategoritë
Sport