Në përmbytjet e frikshme që kanë marrë më shumë se 100 jetë në Spanjë, ka ndërruar jetë edhe ish-talenti i madh i Valencias, Jose Castillejo (28). Klubi spanjoll Valencia njoftoi në rrjetet sociale dhe i dha nderimet e tij ish-lojtarit të ri të ekipit. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Jose Castillejo, me të cilin Valencia u nda pas vdekjes së tij në përmbytjet e rënda.
“Jemi të pikëlluar për vdekjen e Jose Castillejos, viktimë e katastrofës natyrore Dana. Ai ka kaluar të gjithë shkollën e klubit dhe ka luajtur për shumë ekipe në komunitetin tonë lokal të Valencias,” njoftoi ky klub i madh spanjoll.
Ai ka luajtur për shumë ekipe në Spanjë, përfshirë edhe klubin e ligës së dytë Eldense. Edhe Eldense shprehu ngushëllimet për familjen e tij.
Përveç Valencias, ku ai nisi karrierën dhe Eldense-s, ai ka luajtur për Torre Levante, Paterna, Roda, Villamarxant, Colon dhe Bunol.
Sipas informacioneve të fundit, numri i viktimave tragjike në përmbytjet e tmerrshme në Spanjë është rritur në 158. Shumë njerëz kanë frikë se ky nuk është numri përfundimtar i viktimave.
Aktualisht në Valencia janë më shumë se 1,000 ushtarë që përpiqen të shpëtojnë të rrezikuarit dhe të parandalojnë një numër më të madh viktimash. Pamjet nga Valencia tregojnë se kjo është katastrofa më e madhe natyrore në historinë e shtetit.