Në Poloni arrestohet një ukrainase e dënuar për shitjen e 56 veshkave

Autoritetet kufitare polake kanë arrestuar një shtetase ukrainase, e cila ishte dënuar me 12 vite burg në Kazakistan për përfshirje në një grup kriminal që tregtonte organe njerëzore dhe kishte shitur 56 veshka, raporton Reuters.

Gruaja 35-vjeçare, e identifikuar si Ksenia P. sipas ligjeve polake për privatësinë, u ndalua në një kalim hekurudhor midis Polonisë dhe Ukrainës, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të Interpolit, deklaroi Marta Petkowska, zëdhënëse e prokurorisë në Przemyśl.

Mbetet e paqartë pse nuk ishte në burg në Kazakistan

Prokuroria nuk dha shpjegime se pse gruaja nuk ndodhej në burg në Kazakistan në momentin kur u arrestua në kufi dhe as kur ishte shpallur vendimi ndaj saj.

Interpoli kishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar që në vitin 2020

Interpoli kishte shpallur të kërkuar me “të kuqe” këtë shtetase që nga nëntori i vitit 2020, thanë prokurorët. Kjo nënkupton një kërkesë ndërkombëtare për arrestim të përkohshëm në pritje të ekstradimit ose ndonjë procedure tjetër ligjore.

Pjesë e një rrjeti ndërkombëtar kriminal

Sipas deklaratës së Petkowska, Ksenia P. ishte pjesë e një organizate ndërkombëtare kriminale, e cila nga viti 2017 deri në 2019 kishte përfituar ilegalisht organe dhe inde njerëzore, duke i shitur ato në tregun e zi.

Ajo u shpall fajtore për trafik të paligjshëm të veshkave të të paktën 56 viktimave nga vende të ndryshme, përfshirë Kazakistanin, Armeninë, Azerbajxhanin, Ukrainën, Kirgistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin dhe Tajlandën.

Burim i qëndrueshëm të ardhurash nga tregtia e organeve

Hetimet zbuluan se ajo kishte kthyer këtë veprimtari kriminale në një burim të qëndrueshëm fitimi, duke përfituar shuma të mëdha nga shitja e organeve në rrjete të paligjshme.

Po përgatitet ekstradimi në Kazakistan

Prokuroria i ka paraqitur gjykatës një kërkesë për ndalimin e saj të përkohshëm për një javë, në mënyrë që të përgatitet procedura e ekstradimit në Kazakistan.

Kategoritë
BotaLajme