Ministri i jashtëm polak, Radosław Sikorski, ka njoftuar se vendi i tij së shpejti do të hapë një bazë raketore të mbrojtjes ajrore dhe ka shprehur shpresën se do të rrëzojnë edhe raketat ruse që fluturojnë drejt Polonisë.
Pas samitit të NATO-s në korrik në Washington, u njoftua se objekti i ri mbrojtës raketor amerikan në Poloni do të jetë operacional dhe gati për të mbrojtur Aleancën.
“Ne do të hapim një bazë raketore të mbrojtjes ajrore në Rezdikowo në javët e ardhshme. Kjo është një bazë për të cilën jemi marrë vesh me Shtetet e Bashkuara,” theksoi Sikorski.
Ai shtoi se Polonia gjithashtu është në negociata me SHBA-në për të siguruar që sistemet e saj të mbrojtjes raketore të mund të rrëzojnë raketat ruse që fluturojnë drejt Polonisë, dhe jo vetëm raketat iraniane që fluturojnë drejt SHBA-së.
Nuk dihet nëse Polonia ka marrë një përgjigje për këtë kërkesë.
Baza raketore mbrojtëse amerikane në Poloni u urdhërua nga NATO në korrik 2024.
Si një komponent i mburojës gjithëpërfshirëse të mbrojtjes raketore të NATO-s, ajo është projektuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur raketat balistike. Objekti është ekskluzivisht mbrojtës dhe ka rreth 200 të punësuar.
Pas sulmit të gjerë rus ndaj Ukrainës në mëngjesin e 26 gushtit, Polonia raportoi shkelje të hapësirës së saj ajrore.
Pas kësaj, Sikorski në një intervistë për Financial Times deklaroi se Polonia duhet të kapë raketat ruse që mund të depërtojnë në hapësirën ajrore polake ende mbi Ukrainë. /Gazetaere