Në Prishtinë zbulohet laboratori i sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve

Një person është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi në shtëpinë e tij, policia ka zbuluar një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në mesin e materialeve të konfiskuara janë edhe mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se më 24 janar 2025 ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës.

“Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intensive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu thuhet se “gjatë bastisjes u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.

Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi