Në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë shënohet Dita e Shtetësisë së Bosnje e Hercegovinës

Zyrtarë të shumtë, shoqata të viktimave si dhe qytetarë të shumtë vendosën kurora me lule në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë me rastin e Ditës së Shtetësisë të BeH-së

Dita e shtetësisë së Bosnjës e Hercegovinës (BeH), 25 Nëntori, u shënua me vendosjen e luleve, këndimin e Fatihasë dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës, Potoçari, raporton Anadolu Agency (AA).

Në përmendoren e varrezave, si në vitet e kaluara, u vendosën kurora me lule nga anëtarët e shoqatave të viktimave të gjenocidit, përfaqësues të komunës së Srebrenicës, Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Potoçari, zyrtarë dhe përfaqësues organizatave, si dhe qytetarë të shumtë.

Shefket Hafizoviq, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, Potoçari, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se kjo datë shënon një pikë kthese në historinë e vendit.

“Sot jemi këtu për të shënuar një ngjarje që shënoi një pikë kthese në historinë e BeH-së. Shumë njerëz nuk e kanë dashur ekzistencën e BeH-së, as atëherë dhe as tani. Në vitet 1990-ta, Bosnje e Hercegovina ishte viktimë e agresionit fillimisht nga Serbia dhe më vonë nga Kroacia, që rezultoi në gjenocid. Dhe 30 vjet më vonë, lufta për drejtësi dhe barazi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë është motoja dhe synimi ynë dhe kështu do të mbetet”, tha Hafizoviq.

Hamdija Fejziq, nënkryetar i komunës së Srebrenicës, u dërgoi qytetarëve një mesazh urimi me rastin e 25 Nëntorit, Ditës së Shtetësisë së BeH-së.

“I uroj të gjithë qytetarët e Srebrenicës, mbarë Bosnje e Hercegovinës, si dhe diasporës, për Ditën e Shtetësisë së BeH-së. Atdheu është obligimi dhe betimi ynë për të cilin duhet të kujdesemi dhe detyrimi ynë për të ardhmen. Ne duhet ta mbrojmë Bosnje e Hercegovinën për hir të atyre që dhanë gjënë më të vlefshme, jetën e tyre, për hir të atyre që jetojnë sot dhe luftojnë për ta bërë vendin tonë më të bukur, si dhe për hir të brezave që do të vijnë. Detyra jonë është të ndërtojmë atdheun tonë. Rroftë përgjithmonë Bosnje e Hercegovina”, tha Fejziq.

Kategoritë
LajmeRajoni