Në Shqipëri fillon viti i ri shkollor

Procesi mësimor ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit, në sistemin e arsimit publik dhe privat, ndërkohë, procesi mësimor ka filluar edhe në shkollat që administron Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri.

Në Shqipëri ka filluar viti i ri shkollor 2022-2023 në institucionet e arsimit parauniversitar, për rreth 450 mijë nxënës në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Procesi mësimor ka filluar në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e vendit, në sistemin e arsimit publik dhe privat, ndërkohë, 29 mijë nxënës ulen për herë parë në bankat e shkollës.

Procesi mësimor ka filluar edhe në shkollat që administron Fondacioni Turk Maarif në Shqipëri.

Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit New York Tirana, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si gjimnazin “New York High School”, gjimnazin dhe shkollën 9-vjeçare “IMSA High School Elbasan”, shkollën 9-vjeçare “New York Basic Education” dhe kopshtin “IMSA Farm-Kindergarten”.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin, ndërsa zyrtarët e lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit dhe kanë vizituar disa nga shkollat në vend.

Në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan se u uron nxënësve dhe arsimtarëve në të gjithë Shqipërinë një vit të mbarë shkollor.

“T’i shndërrojmë bankat e shkollës në instrumentin që do t’i formësojë fëmijët e sotëm në qytetarë të përgjegjshëm të së nesërmes evropiane. Suksese në rrugëtimin e përbashkët drejt dijes”, shkruan Begaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë, së bashku me ministra të kabinetit qeveritar, ku ai u takua me stafin e mësuesve dhe nxënësit e shkollës.

Gjatë vizitës në këtë shkollë, kryeministri Rama tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aftësimit të të rinjve me programet e kodimit, sipas tij, për t’i përgatitur ata për një treg të ri pune.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Tiranë u mbajt edhe “Kongresi Kombëtar i Arsimit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, të institucioneve të arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorëve në fushën e arsimit.

Kategoritë
LajmeRajoni