Në Shqipëri restaurohet Kurani 100-vjeçar

Restaurimi i librave të shenjtë meriton një përkujdesje të posaçme, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shqiptare derisa ftojnë individët që zotërojnë ndonjë dokument të rëndësishëm që po bjerret dita-ditës ta çojë te restauruesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njoftoi se Laboratori Qendror i Restaurimit ka restauruar një Kuran 100-vjeçar.

“Në një “sallë operimi”, siç edhe është pagëzuar Laboratori Qendror i Restaurimit, i vetmi në rang vendi, ky Kuran shekullor i është nënshtruar një procesi të mirëfilltë trajtimi, të krahasueshëm me kirurgjinë”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në faqen e saj onlajn.

“Restaurimi i librave të shenjtë meriton një përkujdesje të posaçme. Dorashka, maska dhe pajime metalike, janë takëmet bazë të laboratorit, ku botimi i sjellë nga zotëruesi ka kaluar në një seri etapash, sikurse janë: dezinfektimi, pastrimi me gomat pluhur, larja në vaska, deacafikimi në vaska, pastrimi nga mbishtresat, riintegrimi i pjesëve të humbura me letër japoneze, restaurimi i kapakut, qepja e fletëve dhe lidhja e fletëve me kapakun. Ky proces pune është finalizuar me dorëzimin e Kuranit të rijetësuar te zotëruesi”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shqiptare.

Më tej, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tha se cilido individ që zotëron një dokument të rëndësishëm që po bjerret dita-ditës ftohet që ta çojë te restauruesit të cilët do ta risjellin sërish në jetë.

Prej tetorit të vitit 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në Shqipëri ka prezantuar risinë që bën të mundur për çdo individ, person fizik, juridik, privat ose publik, të përftojë shërbimin e restaurimit të dokumenteve të tij vetjake.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme