Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA) William Burns është në Turqi ku u takua me kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) për të përcjellë një mesazh në lidhje me pasojat e përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Gazeta ruse Kommersant raportoi fillimisht për takimin ruso-amerikan në Turqi. Një burim anonim u citua të thoshte se Sergei Naryshkin, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR), do të merrte pjesë në bisedime.
Shtëpia e Bardhë tha se Burns, ish-ambasadori amerikan në Rusi, nuk do të merrte pjesë në asnjë negociatë me Naryshkin.
Ukraina u njoftua paraprakisht për udhëtimin e Burns në Turqi, tha zyrtari. Burns nuk po diskuton një zgjidhje për luftën në Ukrainë, por po jep një mesazh për pasojat e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, shtoi zyrtari.
Burns u takua me liderin rus Vladimir Putin në vitin 2021 në emër të Presidentit Joe Biden në një përpjekje për të përcjellë shqetësimet e Uashingtonit rreth ngritjes ushtarake të Rusisë rreth Ukrainës.
Kremlini, i pyetur për raportin e gazetës Kommersant, tha se nuk mund t’i konfirmonte dhe as t’i mohonte ato. SVR nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Përtej luftës, Rusia dhe SHBA-ja kanë një sërë çështjesh të pazgjidhura për të diskutuar, nga shtrirja e një marrëveshjeje kyçe për reduktimin e armëve bërthamore dhe një marrëveshje për eksportin e grurit të Detit të Zi deri te një shkëmbim i mundshëm i të burgosurve dhe lufta në Siri.