Në Vatikan të indinjuar me sjelljen e vizitorëve: “Mos bëni selfie me Papa Françeskun e ndjerë”

Më shumë se njëqind mijë persona kanë arritur në Vatikan që nga e mërkura për t’i dhënë lamtumirën Papës Françesku, duke parë arkivolin e hapur të tij. Megjithatë, shumë prej tyre kanë shfrytëzuar këtë moment solemn për të bërë fotografi – madje edhe selfie pranë trupit të pajetë të Papës.

Si reagim ndaj këtij veprimi të papërshtatshëm, Vatikani u ka bërë thirrje vizitorëve që të përmbahen nga sjellje të tilla, dhe ka forcuar masat e sigurisë në bazilikën e Shën Pjetrit.

“U bëjmë thirrje vizitorëve të mos fotografojnë,” deklaroi zëdhënësi i Vatikanit për The Times. “Njerëzit presin me orë të tëra në radhë, luten, nderojnë Papën, por fotografimi nuk bën pjesë në këtë ceremoni,” shtoi një burim nga vendngjarja.

Edhe disa vizitorë janë shprehur të revoltuar nga ajo që kanë parë.

“Pashë disa njerëz që fotografonin, megjithëse punonjësit e Vatikanit ua kishin ndaluar qartë. Sillen sikur nuk dëgjojnë. E kjo është një gjë që kuptohet në çdo gjuhë,” tha një vizitore e revoltuar.

Arkivoli me trupin e Papa Françeskut u transferua të mërkurën në mëngjes nga Shtëpia e Shën Martës në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku publiku mund të bëjë homazhe deri të premten.

Autoritetet italiane kanë njoftuar se hyrja në zonën e përcaktuar do të mbyllet të premten në orën 17:00, ndërsa ceremonia e mbylljes së arkivolit do të zhvillohet në orën 20:00.

Kategoritë
BotaLajme