Në vikend isha në Ohër, tash s’jam më”, Kurti e rithekson që dialogu nuk është top prioritet i tij

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sërish e ka theksuar edhe sot në një konferencë për media se Dialogu nuk është në top prioritet e tij, siç thotë ai as për nga vëllimi as për nga intensiteti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

I pari i Qeverisë tha se edhe nëse shihet nga angazhimi i tij ditor, apo javor e mujor, sërish dialogu për të nuk është top prioritet.

Sa i përket çështjes së dialogut, Kryeministri Kurti ia barti këtë kompetencë zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi

“Nuk është top prioritet në angazhimet e mia, as për nga vëllimi, as për nga intensiteti. Ju nuk e dini se çfarë bëjë unë tërë ditën dhe nëse shihni angazhimet për ekonomi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, pakicat e tjera, për financat, komunat, angazhimet ndërkombëtare për marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera, vëllim gjigand është i punës kjo. Mund të ju duket juve, por unë e përjetoj. Nëse e shihni nga angazhimi im, ditor, mujor e javor, nuk është dialogu top prioritet. Unë në vikend isha në Ohër. Tash nuk jam në Ohër dhe merrem me punët e tjera. E kemi zëvendëskryeministrin e cili e ka dialogun pjesë të portofolit, por jo para integrimeve evropiane”, tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit u pyet nga gazetarët edhe për ofertën bujare që i kishte bërë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e që ky i fundit e kishte refuzuar.

Ai tha se në takimin e 18 marsit do të pranonte draftin e propozimit nëse Vuçiq do të pranonte tri shtylla bazike që ishin, Kushtetuetshmëria dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, Qëndrimi i Washingtonit dhe qëndrimi i Brukselit.

Kryeministri është pyetur edhe rreth deklaratës së ndërmjetësit evropian në dialog, Miroslav Lajçak se, i cili dje tha se neni 7 i marrëveshjes së dakorduar flet për për zbatimin e marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015, që përfshinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha se nuk duhet të barazohet fjala “komunitet” me fjalën “komunë” apo “Asociacion”. Kreu i Qeverisë pohoi se këto dyja “nuk janë tërësisht të pavarura, nuk janë të ndashme prej njëra-tjetrës në mënyrë absolute, por larg prej të njëjtës gjë”.“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komunitetit serb, jo komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Pra, nuk është e njëjta gjë. Unë i kuptoj që s’janë plotësisht të ndryshme, të palidhura, por s’janë e njëjta gjë. Unë e kam thënë edhe në Kuvend se nga pikëpamja ime e fuqishme, jo thjeshtë politike, por edhe juridike, kur themi komuniteti serb atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës. Kjo është platforma, ky është regjistri im si kuptohet dhe angazhohemi për komunitetet, përfshirë edhe atë serb. Ne nuk e mohojmë asnjëherë që janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit tanë, por që të dyja janë shumë të cënuara në të kaluarën. Marrëveshja e parë është cënuar nga vetë presidenti i Serbisë, i cili ju ka dhënë urdhër strukturave të Serbisë për një herë inkuadrim në sistemin e Kosovës e më pas dorëheqje kolektive. Kjo është shkelje e marrëveshjes së 19 prillit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 ne nuk e mohojmë se ekziston, por njëkohësisht konstatojmë se në mënyrë të dyfishtë është shkelur. Dhe tjetra është marrëveshja e vitit 2015 që nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses. Jo në dy apo tri nene, por në 23 nene gjithsej. Prandaj, duhet ti kemi parasysh edhe këto elemente. Nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë e as Asociacion, ashtu si nuk bën të barazohet fjala popull me me Republikë. Edhe një herë po e them: nuk janë tërësisht të pavarura, nuk janë të ndashme prej njëra-tjetrës në mënyrë absolute, por larg prej të njëjtës gjë, u shpreh Kurti para gazetarëve. /Reporteri.net/

Kategoritë
Lajme