Negociata edhe për pak pare, a po i çon Avokati i Popullit Kurtin e Jasharajn drejt kompromisit

Qeveria dhe sindikata e mësimdhënësve nuk janë pajtuar ende për një çështje që vazhdon t’i lë qindra-mijëra nxënës pa mësim qe gati një muaj. Një ndërmjetësim i Avokatit të Popullit që është futur mes Ekzekutivit dhe SBASHK-ut u tha se i ka afruar të dy palët në përpjekjen për gjetjen e një marrëveshjeje. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të hënën në T7 përmendi një shumë të parave për mësimdhënësit. A mund të jetë ky kompromisi për ndaljen e grevës?

Çdo të diel, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci i fton mësimdhënësit që të ta ndalin grevën. Çdo të hënë, SBASHK-u njofton se greva vazhdon. Tash është bërë gati një muaj prej kur mësimdhënësit janë në grevë dhe mbi 300 mijë nxënës kanë mbetur jashtë bankave të shkollës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ditët e fundit është angazhuar si ndërmjetës mes Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK). Ai thotë se “të drejtat e fëmijëve janë duke u shkelur rëndë”, andaj pati takime përfaqësues të Qeverisë dhe të SBASHK-ut.

Qelaj nuk ishte i qasshëm për t’iu përgjigjur Gazetës Express në lidhje me procesin e negociatave. Por të hënën tha se palët “kanë arritur t’i balancojnë qëndrimet”.

“Në raport me ato që unë i kam diskutuar me palët, besoj që janë shumë afër arritjes së një zgjidhjeje dhe një marrëveshjeje”, tha ai në Klan Kosova.

Qeveria e sheh si shantazh kërkesën e SBASHK-ut për 100 euro shtesë në muaj deri sa të hyjë në fuqi ligji i ri për pagat.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha të hënën në “DPT Te Fidani”, se SBASHK-u mund të arrijë vetëm deri në 20 euro më shumë për mësimdhënësit.

“Nuk është as e ndershme të vihemi në këtë presion, të insistohet në një vlerë e cila në fund të ditës nuk do të jetë më shumë se diku 20 euro më tepër për mësimdhënësit”, tha Nagavci mbrëmë.

Avokati i Popullit tha se e vetmja pikë ndarëse mes ofertës së Qeverisë dhe kërkesave të SBASHK-ut është vlera e shumës dhe kohëzgjatja e pakos për luftimin e inflacionit, e cila u miratua së fundmi.

“E vetmja pikë ndarëse është lartësia e vlerës së pakos mbështetëse”, tha Qelaj dje. Ai ka propozuar që “ndihma të zgjatet në kohë, por të mos rritet në 100 euro” dhe që “para përfundimit të kësaj periudhe të shqyrtohet lartësia e vlerës së pakos”.

Për këtë, ministrja Nagavci dha shenja pozitive.

“Është identifikuar si nevojë që edhe pas dhjetorit të vazhdohet me mbështetje për qytetarët. Kryeministri e ka thënë publikisht dhe jemi zotuar edhe ne në letrën që ia kemi dërguar Avokatit të Popullit që do të rishqyrtohet vazhdimi i mbështetjes në forma të ndryshme”, ka thënë Nagavci.

Qeveria përmend ligjin e ri për paga, i cili parasheh rritjen e pagave të mësimdhënësve. Ky projektligj është tashmë në procesin e konsultimeve publike dhe do të jetë kështu deri më 6 tetor.

Pas kësaj, nevojitet miratimi në Qeveri dhe Kuvend, dhe publikimi në Gazetën Zyrtare, për të hyrë në fuqi tetë muaj pas kësaj.

Duke e ditur këtë, sindikata e mësimdhënësve ka refuzuar një ofertë të Qeverisë, e cila para disa javësh paraqiti një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punëtorët e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë në muaj, deri në dhjetor.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) nuk e ka pranuar këtë “ofertë”, siç e ka cilësuar vetë ajo.

Avokati i Popullit thotë se për shkeljen e të drejtave të nxënësve “përgjegjësia direkte bie mbi shtetin”, pasi “është detyrim dhe përgjegjësi e shtetit që t’i garantojë secilit qytetar të Republikës së Kosovës arsimimin dhe edukimin, ashtu siç është paraparë në Kushtetutë”.

Sipas Naim Qelajt, “ligji duket se ka probleme”. Ai thotë se projektligji që është tash në fazën e diskutimit publik, “duhet të plotësohet dhe përmirësohet”.

Kategoritë
LajmeVendi