Nënkryetari amerikan kritikoi BE-në për lirinë e shprehjes: Nëse ne e mbijetuam Gretën, ju do ta mbijetoni Muskun

Nënkryetari amerikan J.D. Vance përdori fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih për të kritikuar Evropën për shtypjen e supozuar të lirisë së shprehjes.

Si shembull, ai përmendi ndër të tjera zgjedhjet presidenciale të anuluara së fundmi në Rumani. Ai gjithashtu kritikoi Komisionin Evropian dhe politikën e tij për rregullimin e rrjeteve sociale. Vance përsëriti gjithashtu kërkesën e SHBA-së që vendet evropiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

“Nëse demokracia amerikane mund të mbijetojë dhjetë vite kritikash nga Greta Thunberg, ju mund të mbijetonit disa muaj me Elon Muskun. Por ajo që demokracia gjermane – dhe asnjë demokraci, qoftë ajo amerikane, gjermane apo evropiane – nuk mund të mbijetojë, është t’u thuhet miliona votuesve se mendimet dhe shqetësimet e tyre, dëshirat e tyre, kërkesat e tyre për lehtësim janë të pavlefshme ose të padenja për t’u shqyrtuar,” deklaroi Vance.

Ai shtoi se liderët e BE-së nuk mund të ikin nga votuesit e tyre.

“Nëse po ikni nga frika e votuesve tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për ju. Dhe kur të vijë momenti, nuk ka asgjë që ju mund të bëni për popullin amerikan, i cili më zgjodhi mua dhe zgjodhi presidentin Trump,” tha Vance për liderët evropianë në Mynih.

Sipas nënkryetarit amerikan, megjithëse është e rëndësishme që Evropa të zhvillojë aftësinë e saj mbrojtëse, ai shtoi se shqetësimi i tij më i madh është kërcënimi që, sipas tij, i vjen Evropës nga brenda.

Vance frikësohet se “Evropa mund të heqë dorë nga disa vlera themelore, vlera që i ndan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht të flasim për vlerat demokratike, duhet t’i jetojmë ato,” shtoi zyrtari i dytë më i lartë i administratës së presidentit Donald Trump. Kjo administratë, ndër të tjera, ka ndaluar gazetarët e agjencisë AP të marrin pjesë në konferencat për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, sepse refuzojnë ta quajnë Gjirin e Meksikës si ‘Gjiri Amerikan’.

Vance gjithashtu iu referua migracionit, duke përmendur sulmin në Mynih të kryer të enjten nga një azilant afgan 24-vjeçar.

“Sa herë duhet të vuajmë nga këto dështime të tmerrshme para se të ndryshojmë drejtimin dhe të orientojmë qytetërimin tonë të përbashkët në një rrugë të re?”, pyeti nënkryetari amerikan.

Në kundërshtim me pritshmëritë, gjatë fjalimit të tij në konferencën e sigurisë, Vance shmangu temën e Ukrainës dhe nuk foli shumë për çështjet e sigurisë. Fillimisht pritej që ai të përdorte fjalimin e tij në Mynih për të paraqitur planet e Shteteve të Bashkuara, nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme