Nënkryetarja e Korçës e entuziazmuar për nisjen e festivalit ku do të këndojë Bregoviq

Që nga dje ka filluar Festa e Birrës në Korçë, derisa do të vazhdojë çdo natë me performancat e artistëve të ndryshëm, deri me datë 22 gusht. Edhe pjesëmarrja e Goran Bregoviq nuk ka më asnjë mëdyshje, duke qenë se edhe ai vet ditën e djeshme e konfirmoi një gjë të tillë.

Pavarësisht reagimit të madh nga publiku, Bashkia e Korçës në deklaratat e tyre për medie janë shprehur se ftesa e artistit nuk ka të bëjë aspak me politikën, pasi gjithçka është rreth artit.

Në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net“, nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli ka thënë se ardhja e Bregoviq nuk ka bërë që të shtohen masat e sigurisë.

“Për ne është situatë mëse normale. Festa do të vijojë normalisht me masat e zakonshme që kanë qenë çdo vit”, tha Benila Themeli.

Gjithashtu ajo shtoi se reagimi ka ardhur vetën nga Kosova, pasi në Korçë e Shqipëri në përgjithësi situata është e qetë.

“Reagimi publik ka qenë vetëm nga Kosova. Nuk ka patur reagim publik në Korçë dhe Shqipëri. Situata është shumë e qetë këtu. Besoj çdo gjë do të ecë paqësisht e me shumë gëzim si çdo vit”, përfundoi nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli për Reporteri.net.

Theksojmë se Goran Bregoviq do të performojë në natën finale të Festës së Birrës, ndërsa ka disa ditë që ka filluar shitja e biletave me çmim 8 euro.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme